Atentati ndaj Rubatit në Sarandë, policia gjen një motor të braktisur pranë detit
Policia e Sarandës ka siguruar një element të ri në kuadër të hetimeve për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i cili u qëllua mbrëmjen e së premtes. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në lagjen “Baba Rexhepi”, zonë ku dyshohet se janë drejtuar autorët pas ngjarjes, efektivët kanë gjetur një motor të braktisur.
Mjeti është lokalizuar në afërsi të bregdetit, në një nga gjiret e zonës së quajtur “Kasollja”. Grupi hetimor dyshon se motori mund të jetë përdorur nga autorët e atentatit, pasi është gjetur në itinerarin e mundshëm të largimit të tyre.
Sipas burimeve hetimore, motori nuk kishte shenja dëmtimi apo djegieje, çka e bën një provë të rëndësishme për mbledhjen e gjurmëve të mundshme biologjike. Ekspertët pritet të kryejnë verifikime të detajuara për të zbuluar nëse në mjet ka materiale gjenetike që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë në ngjarje.
Fakti që motori është gjetur pranë detit ka ngritur disa pista të reja për policinë. Hetuesit dyshojnë se autorët mund të jenë larguar me ndonjë mjet lundrues pas atentatit, ose mund të jenë fshehur në banesa të zonës periferike për t’i shpëtuar kontrolleve.
Nga hetimet paraprake dyshohet se atentati ka qenë i organizuar dhe i planifikuar më herët. Një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që autorët të kenë shfrytëzuar një konflikt të ndodhur një ditë më parë mes djalit të viktimës dhe një punonjësi policie, me qëllim që të krijonin konfuzion mbi motivet dhe drejtimin e hetimit.
Burimet bëjnë me dije se autorët mund të kenë përfituar edhe nga mungesa e kamerave në një zonë të caktuar, pasi dyshohet se kanë qenë në dijeni për pozicionet e pajisjeve të sigurisë.
Aktualisht, grupi hetimor po fokusohet kryesisht në dy pista: një konflikt të mundshëm pronësie dhe një konflikt personal me motive të tjera. Ndërkohë, pista e hakmarrjes apo larjes së hesapeve mbetet më pak e mundshme, pasi deri tani nuk janë siguruar prova të mjaftueshme që ta mbështesin këtë version. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
KOHA JONË SONDAZH

