Atentati në burgun e Vaqarrit; Gjykata lë në burg dy të arrestuarit
Gjykata e Tiranës në seancën e sotme dha vendimin ndaj dy të arrestuarve për atentatin në burgun e Vaqarrit, Ergys Kolaverit dhe Enea Cakës që është masa arrest me burg. Ergys Kolaveri, 25 vjeç, dhe Enea Ceka, 24 vjeç u arrestuan pas ngjarjes së ndodhur në burgun e Vaqarrit, ku Lili Dulaj mbeti i plagosur aksidentalisht. Pas atentatit të dështuar ndaj të dënuarit Gazmir Daci, në burgun e Vaqarrit, i dyshuari si autor i ngjarjes hedh poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.
“Ergys Kolaveri nuk ka lidhje me ngjarjen, dhe nuk ka qenë ai personi që qëlloi me snajper ndaj të dënuarve që ndodheshin në ajrim”, ka deklaruar avokati i 25-vjeçarit. Sipas tij, kjo është një telenovelë e sajuar, pasi Gazmir Daci nuk ka qenë fare në ajrim në momentin që është qëlluar nga jashtë.
Ngjarja
Ngjarja është shënuar pasditen e së shtunës, rreth orës 16:30, kur të paraburgosurit kishin dalë në ambientet e jashtme të ajrimit. Personi i cili mbeti i plagosur nga ky atentat është 40-vjeçari nga Kosova, i cili është arrestuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Nga hetimet e kryera, burimet thonë se objektiv i këtij atentati nuk ka qenë shtetasi Lili Dulaj, por Gazmir Daci. Ky i fundit ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
I paraburgosuri i vënë në shënjestër dy ditë më parë nga Ergys Kolaveri, më datë 4 nëntor 2015, pas një konflikti të hershëm ka vrarë me armë zjarri shtetasin Valmir Kolaveri dhe plagosi rëndë vëllain e tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht ndodhet i paralizuar. Burimet nga policia e kryeqytetit kanë bërë me dije se nga vendi ku të dyshuarit qëlluan në drejtim të burgut, janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Mercedes Benz”. Nga verifikimet e kryera, policia tha se ky automjet i përkiste shtetasit Ergys Kolaveri, vëllai i Valmir dhe Robert Kolaveri.
Ndërkohë në momentin e arrestimit, Kolaveri ka qenë nën shoqërinë e kushëririt të tij Enea Caka, edhe ky i fundit është arrestuar për veprën penale “Moskallëzim të krimit”.
KOHA JONË SONDAZH

