Atentati në Durrës, banorët: Menduam se ishin mina
Edision Harizaj, i njohur në qytetin e tij si “Edisioni i shtatë pallateve”, është ekzekutuar dje në mbrëmje në qytetin e Durrësit. Ai rezulton një person i skeduar, ndërsa njihet për lidhjen me Emiljano Shullazin që ndodhet në burg. Në atentat mbeti i plagosur rëndë shoku i tij i ngushtë, Genci Caci, 33 vjeç. Të dy u goditën në një pritë në lagjen 13, në Durrës.
Harizaj mendohej se ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës me një mjet Audi dhe në shoqërinë e 33-vjeçarit të plagosur rëndë. Automjeti është qëlluar me breshëri kallashnikovi pasi mjetit të tyre i është prerë rruga nga një tjetër mjet.
Ndërsa banorët shprehen se nga zhurma, menduan se po shpërthenin minat. ”Ishte zhurmë shumë trishtuese sepse nuk dëgjohen zhurma të atilla. Mendova se mund të shpërthejnë mina, absolutisht që nuk e mendova ashtu. Vetëm që fëmija dhe gruaja u trembën shumë”.
Policia gjeti 15 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Rruga ku u ngrit prita nuk ka ndriçim, ndërsa më pas u larguan në sens të kundërt të autostradës. Autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën me të cilën kryen vrasjen, e cila ishte e vjedhur. Më pas, u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët.
Dyshimet flasin se Harizaj është ekzekutuar për hakmarrje dhe ngjarja vjen pas zhdukjes së Albano Xhaferrit në Vlorë, por edhe disa ngjarje të tjera kriminale në qytetin e Vlorës. Harrizaj ishte shoqëruar edhe gjatë hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Konomi por edhe për rrëmbimin e Albano Xhaferrit. Mendohet se gjithçka mund të jetë pasojë e luftës me bandave me qendër në Vlorë.
KOHA JONË SONDAZH

