Zbardhet atentati në Lezhë, Policia: Janë identifikuar 3 autorët, kontrolle në disa banesa

Drejtori i Policisë Lezhë, Arben Nasufi, ka dalë në një konferencë për mediat në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Balldren.

Çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci humbën jetën në një atentat, ndërsa lëviznin me automjetin e tyre në Balldre.

“Kanë vijuar intesivisht veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes. Është identifikuar një nga automjetet e përdorur nga autorët, Audi A4. U identifikuan autorët, shtetasit A.M 26 vjes , 36 vjeç dhe 22 vjec”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezulton se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Hetimet po vijojnë. Sa i përket autorëve. Pas identifikimit të tyre janë ushtruar kontrolle, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Ata janë shpallur në kërkim. Operacioni vijon në terren. Audi mbajti në vëzhgim viktimat”, tha Nasufi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fjala e plotë e drejtorit të Lezhës:

Përshëndetje,

Faleminderit për praninë tuaj sot, për të përcjellë te qytetarët, rezultatin e angazhimit maksimal të strukturave të Policisë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, çifti i bashkëshortëve, shtetasit Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.

Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.

Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:
-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.

Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?