Atentati në Shkodër, Policia: Në makinën e viktimës Hamza Lici u gjetën 3 armë zjarri
Policia e Shkodrës njofton se në automjetin me të cilin udhëtonte Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën 3 armë zjarri pistoletë. Ndërkohë ashtu siç u raportua më herët, një automjet tip Land Rover u gjet i djegur plotësisht në Grudë e Re me 2 automatikë brenda që dyshohet se janë përdorur në ngjarje. Sakaq, vijon puna hetimore. Hamza Lici mbeti i vrarë nga atentati në Dobraç, kurse Arlind Bushati u plagos në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
”Nga kontrolli i ushtruar në automjetin që udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta).
Ndërkohë shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të zonës për kapjen e autorëve, në fshatin Golem kanë konstatuar të djegur plotësisht një automjet tip “Range Rover” dhe 2 armë zjarri automatike.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.