Atentati në Vlorë/ I plagosuri u grabit 1 orë para ngjarjes, pse s’denoncoi
Policia e Vlorës e cilëson si një grabitje ngjarjen e dy ditëve më parë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri në mes të qytetit shtetasi Florjan Meçe.
Nga të dhënat e zyrtarëve të Policisë, Meçes, i dënuar më parë për vrasje, i kanë vjedhur me dhunë automjetin e llojit “BMW-X6”, me targë AA 333 MK, portofolin me një sasi parash prej 500 eurosh, disa bizhuteri personale që dispononte me vete, si dhe aparatin celular.
Për këtë ngjarje policia ka arrestuar dy persona, shtetasit Olgert Shehu, 38 vjeç dhe Hajri Xhaferi, 53 vjeç, që të dy banues në Vlorë. Ndërsa ka shpallur në kërkim si autor kryesor të krimit Klejvis Gjahtarin, 29 vjeç, shkruan Panorama.
Ai rezulton person që ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në vitin 2012. Por, ndonëse person i shpallur në kërkim, ai ka arritur të dalë lirshëm në Vlorë, madje të kryejë një tjetër krim. Policia e akuzon se ka grabitur më parë e më pas tentuar të vrasë një tjetër të dënuar po për vrasje.
Ndonëse paraprakisht policia e konfirmon ngjarjen si një grabitje, burimet nuk përjashtojnë konflikte të tjera të hapura mes palëve. Ky dyshim lind edhe për shkak të së kaluarës me precedentë të të dyja palëve, si autorit, ashtu edhe të të plagosurit.
“Gjatë veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Klejvis Gjahtari, në bashkëpunim me shtetasin Olgert Shehu, para kryerjes së plagosjes në lagjen ‘Ujë i ftohtë’ dyshohet se kanë vjedhur me dhunë shtetasin F.M., duke i marrë këtij të fundit automjetin e llojit ‘BMWX6’, me targë AA 333 MK, portofolin me një sasi parash prej 500 eurosh, disa bizhuteri personale që dispononte me vete, si dhe aparatin celular.
Rreth 1 orë më vonë pas konfliktit për arsyet e mësipërme, në një rrugicë të lagjes ‘Pavar¬ësia’, dyshohet se shtetasi Klejvis Gjahtari ka plagosur me armë zjarri të llojit ‘pistoletë’ shtetasin F.M., i cili ndodhet në spitalin rajonal në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën”, thuhej në komunikatën e Policisë.
Për këtë ngjarje, policia ka referuar materialet në prokurori. Olgert Shehu akuzohet për “moskallëzim i krimit” dhe “vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”. Shtetasi Hajri Xhaferi, për veprën penale “moskallëzimi i krimit” (pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen).
Ndërsa Klejvis Gjahtari është në kërkim për veprat penale “vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, “mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”. Policia po heton të gjitha pistat e mundshme, pasi ende nuk ka një shpjegim pse personit që iu grabit mjeti nuk ka kryer denoncim.
Ai ka shkuar në kafe pas ngjarjes, vend ku edhe është përplasur sërish me autorët.
Akuzat
- Olgert Shehu –> për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.
- Hajri Xhaferi –> për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” (pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen).
- Klejvis Gjahtari –> shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”. Po punohet për kapjen dhe arrestimin e tij.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjete të gjetura rreth 500 m larg vendit të ngjarjes:
– automjetin “Benc¬Mercedes” me targë AA985NV,
– automjetin “BMV¬X6” me targë AA333MK,
– si dhe disa gëzhoja pistolete model 54 (pranë vendin të ngjarjes) të cilat do të dërgohen për ekzaminime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

