ATSH: U kthye nga Italia, punishtja e Vasilit në qeramikë pikë referimi për turistët e shumtë në Fishtë
Etleva Xhajanka/ Pas viteve të specializimit në Itali dhe eksperiencës së emigrimit, Vasil Ukaj e kishte të qartë se me plan biznesi dhe shumë punë, e ardhmja e tij dhe e familjes do të ishte shumë më e mirë në vendlindje.
Ai vendosi të kthehej në fshatin Fishtë të Lezhës, për të ngritur biznesin e poçerisë.
Ukaj tregoi për ekipin e ATSh-së që e vizitoi në punishten e tij se e nisi rrugëtimin në vitin 2000, në një dhomë të vogël, që dikur kishte qenë shtëpia e gjyshit dhe sot, ajo që dikur ishte një ëndërr, është kthyer në një realitet të suksesshëm.
“E nisa me shumë pak mundësi, por me përkushtim dhe punë arrita të krijoj një biznes në zhvillim, që sot është kthyer në një pikë referimi për vizitorët dhe turistët”, tregon ai.
Punishtja e tij e qeramikës është kthyer në një atraksion për turistët, të cilët jo vetëm vizitojnë ambientet, por njihen nga afër me procesin e prodhimit dhe shpesh provojnë vetë të punojnë me baltë. Krahas kësaj, vizitorët bëjnë edhe blerje apo porosi për objekte të ndryshme artizanale.
“Thuajse çdo ditë dhe çdo vit kemi turistë nga e gjithë bota. Kemi krijuar një bashkëpunim shumë të mirë me agroturizmet dhe resortet e zonës”, shprehet Vasili.
Biznesi i tij është familjar dhe përfshin edhe brezin e ri. Nipi i tij 10-vjeçar, Danjeli, tashmë shërben si një “ciceron” i vogël për turistët, duke i shoqëruar dhe duke u treguar për punishten. Sipas Vasilit, kjo është mënyra më e mirë për të trashëguar jo vetëm biznesin, por edhe pasionin për artin.
“Dëshira ime është që ky zanat të kalojë brez pas brezi dhe të sigurojë të ardhura për familjen tonë”, thotë ai.
Sot, punishtja prodhon rreth 300 lloje produktesh, që nga enët tradicionale për restorante, deri tek objektet artistike. Një veçori e këtij biznesi është cikli i mbyllur i prodhimit: balta përpunohet nga vetë familja, ndërsa modelet krijohen duke u frymëzuar nga etnografia shqiptare, veçanërisht nga motivet e Zadrimës, por edhe nga zona të tjera të vendit dhe Kosovës.
Produktet e tyre gjenden në dyqane suveniresh në qytete turistike si Berati, Gjirokastra dhe Saranda, si dhe janë zgjeruar në tregjet e Malit të Zi dhe Kosovës.
Në këtë rrugëtim, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe familja. Bashkëshortja merret me pikturimin e objekteve, ndërsa vëllezërit, të kthyer nga emigracioni, janë bërë pjesë e biznesit, duke e forcuar atë si një sipërmarrje të përbashkët familjare.
Historia e Vasilit nis që në rini, kur një profesor italian i qeramikës, i cili vizitoi zonën, vendosi ta ndihmonte. Duke parë dëshirën e Vasilit për të mësuar, profesori italian dhe bashkëshortja e tij e mbështetën financiarisht për të studiuar në Itali, me kushtin që pas përfundimit të shkollës të kthehej në Shqipëri.
Vasili e mbajti premtimin. Pas pesë vitesh studimi dhe përvoje, ai u kthye në vendlindje për të ngritur biznesin e tij.
Sot, ai synon të ndërtojë një markë të fortë “Made in Albania”, duke promovuar artizanatin shqiptar dhe duke e kthyer traditën në një histori suksesi që rritet çdo ditë. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

