Autoburgjet e blinduara mbërrijnë në Shqipëri, për personat me rrezikshmëri të lartë
Sistemi penitenciar po fuqizohet me automjete të blinduara, autoburgje, për transportin dhe shoqërimin e të burgosurve jashtë ambienteve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP).
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se mjetet e reja përbëjnë një standard të ri në transportin e personave të privuar nga liria dhe janë të destinuara veçanërisht për shoqërimin e personave me rrezikshmëri të lartë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, automjetet e blinduara synojnë të rrisin ndjeshëm nivelin e sigurisë gjatë lëvizjes së të burgosurve jashtë ambienteve penitenciare.
Kjo masë synon gjithashtu të ofrojë më shumë mbrojtje për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët angazhohen në transportin dhe shoqërimin e personave të privuar nga liria. “Më shumë siguri për të privuarit nga liria. Më shumë mbrojtje për punonjësit. Një sistem penitenciar më modern”, theksoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Sipas institucionit, pajisja me këto mjete të reja është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e sistemit penitenciar dhe rritjen e standardeve të sigurisë gjatë transportit dhe shoqërimit të të burgosurve.
KOHA JONË SONDAZH

