Autori i tritolit tek farmacia e Tahirit, drejtues i një celule xhihadiste në Itali

Vetëm pak kohë më parë, në Tiranë anëtarë të grupit të shpërthimeve me eksploziv u vënë në pranga nga policia,  por ai që dyshohej si kreu i bandës, u shpall në kërkim dhe kishte dyshime se mund të jetë larguar nga Shqipëria.

Sakaq, autoritetet italiane të anti-terrorit kanë identifikuar praninë e një celule xhihadiste në qytetin e Venecias, e cila përbëhet nga shtetas shqiptarë dhe ka si drejtues një personazh të veçantë.

Sipas edicionit on-line të revistës “L’Espresso”, grupi udhëhiqet nga Baftjar Bruka, i kërkuar në rang ndërkombëtar për pjesëmarrje në përgatitjen e tre atentateve, 2 prej të cilave të realizuara më 10 shkurt të këtij viti në Tiranë, që janë ato ndaj farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një oficeri policie.

Sipas revistës, Bruka është një teknik në gjendje të realizojë mjete shpërthyese të lidhura me celularë. Ai rezulton të jetë gjithashtu një personazh i njohur për hetuesit italianë, pasi ka shkelur në vendin fqinj më shumë se një herë dhe u është nënshtruar disa kontrolleve të policisë.

Në vitin 2013, ai u ndalua fillimisht në Piza dhe më pas në stacionin hekurudhor të Firences. Në shkurt 2014, ai ka lënë gjurmë në Venecia, ku i është nënshtruar kontrollit të radhës, por në mungesë të provave është lënë i lirë.

Policia dyshon se pikërisht qyteti i Venecias mund të jetë destinacioni i shtetasit problematik shqiptar, pasi atje anti-terrori ka zbuluar një rrjet mbështetësish të dyshuarit për terrorizëm.

SHKARKO APP