Avokatët e Armando Prengës, tërhiqen nga lirimi i deputetit

 

Rezultatet e ekspertizës së policisë shkencore, të paraqitura nga prokurorët e çështjes Altin Binaj dhe Arben Kraja seancën e 3 nëntorit në Gjykatën e Lartë, ka bërë që avokatët mbrojtës të deputetit Armando Prenga të tërhiqen nga kërkesa për lirimin e tij.

Në seancën e sotme gjyqësore, ku ishte i pranishëm dhe deputeti, mbrojtja tërhoqi kërkesën për shuarjen e masës e lirimin e Prengës.

Në këtë mënyrë, trupa gjykuese e kryesuar nga Mirela Fana vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest me burg” për Prengën.

Kujtojmë se Armando Prenga u arrestua me 5 shtator 2015 pas konfliktit me armë me familjen Cali për Lagunën e Patokut. Ekspertiza e policisë shkencore, vërtetoi faktin se deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga qëlloi me një pistoletë që e mbante pa leje. Kurse gëzhoja e gjetur në rrugën Patok-Laç, nuk është qitur nga arma që i ka vënë në dispozicion Kuvendi.

Më herët, Prenga ka thënë në Gjykatë se qëlloi me pistoletën me leje. Në raport, ekspertët theksojnë se arma e dorëzuar nga deputeti, rezulton se nuk ka bërë asnjë shkrepje ditën kur ndodhi ngjarja kriminale.

Sipas prokurorëve, Prenga ditën e konfliktit me peshkatarët e familjes Cali ka përdorur një armë tjetër, pa leje, të cilën policia nuk e ka gjetur ende.

SHKARKO APP