Avokatët e Veliajt: Fillimi i procesit nga një letër anonime. Pse duhet të rrijë Olsi Dado patjetër në këtë çështje?
Grupi i avokatëve të çështjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, e cilësojnë jo ligjor fillimin e procesit kundër tij bazuar mbi një letër anonime. Në një takim me gazetarët, avokatët e cilësuan këtë proces një praktikë abuzuese, ndërsa theksuan se në rastin konkret nuk plotësohet asnjë nga kushtet për të nisur një hetim, pasi nuk ka as kallëzim dhe as ngjarje.
”Fillimin e procesit nga një anonimat ne e vlerësojmë si një precedent jo ligjor. Ky proces ka filluar nëpërmjet një vetting-u që i është bërë z. Veliaj për një periudhë 20 vjeçare. Në krahasim me gjithë praktikën e hetimeve të një karakteri të tilla, kjo nuk ka ndodhur në asnjë çështje tjetër. Për këtë ne deduktojmë se është një praktikë abuzive, duke e lidhur edhe me anonimatin, i cili ka bërë kallëzimin, sepse kuptohet që organi i prokurorisë, si organ procedues, si autoriteti i vetëm i hetimit dhe çuarjes së çështjes në gjyq, vepron mbi një kallëzim ose mbi një ngjarje. Në rastin konkret ne nuk konstatojmë një ngjarje. Nuk konstatojmë as edhe një kallëzim të një personi të dëmtuar, ose ndryshe të një ”viktime të caktuar””, tha avokati Maks Haxhia.
Një tjetër problematikë që vlerësohet nga avokatët është edhe shpërndarja në mënyrë të qëllimshme e informacioneve të cunguara në media. ”Dua t’ju bëj me dije se nga informacioni që i është dhënë publikut në lidhje me gjithë këtë çështje, konstatojmë se ka mangësi dhe informacioni nuk është i plotë. I janë dhënë publikut pasazhe të caktuara lidhur me episodet, të cilat janë objekt hetimi dhe janë fiksuar nga organi i prokurorisë në materialin mbi të cilin gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për z.Veliaj dhe masa të tjera për të gjithë pjesëmarrësit”, tha avokati.
Avokatët e çështjes Veliaj kanë shprehur hapur indinjatën e tyre lidhur me moskthimin e një përgjigjeje nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilat duhet të shprehen për një ankesë drejtuar atyre nga kryebashkiaku Erion Veliaj disa ditë më parë, për përjashtimin nga çështja të prokurorit Ols Dado, i cili është në konflikt të hapur interesi sipas tij.
“Jam i indinjuar nga ILD dhe KLP, sepse janë në inaktivitet të plotë. E para e punës, kërkesave jo vetëm duhet t’u kthesh përgjigje në kohë reale, por je një institucio që paguhesh, ke edhe instrumentat e tua, ke kapacitetin njerëzor, dhe duhet të ushtrosh kontroll. Jo më kur vihesh në dijeni nga një person, i cili është kryetari i Bashkisë. Kur mendohet që ti nuk je vënë në lëvizje nga kryetari i Bashkisë, i cili ndodhet i arrestuar, çfarë do ndodhë me ne të tjerët? Ndaj, nëse drejtësia ka një faturë negative, është edhe përgjegjësia e këtyre institucioneve”, tha avokati Maks Haxhia, në një takim me gazetarët.
Ata kanë hedhur dritë edhe mbi një pikë tjetër të rëndësishme, siç është pretendimi i prokurorit Ols Dado se kryebashkiaku Veliaj ka intimiduar me sms agjentin e BKH. Avokati i Veliajt, Ermir Beta shpjegoi në takimin me gazetarët, se përmbajtja e sms nuk ka asgjë intimiduese.
“Nuk mund të flitet për intimidim për gjyqtarë të cilët janë super të trajnuar dhe të paguar. Nuk mund të flitet për një intimidim të një hetuesi, i cili të nesërmen, ose disa ditë më pas, hyn lirshëm në zyrën e kryetarit të Bashkisë për të marrë çfarëdo lloj dokumentesh që i vlerësonte të nevojshme. Nuk bëhet fjalë për intimidues. Cili është konteksti? Konteksti është që z. Veliaj, edhe në momentin kur është ushtruar kontroll ndaj znj. Xoxa në Dhjetor 2024, ka qenë në udhëtim pune jashtë shtetit. Ai është gjetur në situatën që ndaj familjes së tij, bashkëshortes, është ushtruar kontroll. Është një gjë që nuk ndodh përditë dhe shkakton një tronditje.
Znj. Xoxa është thirrur dhe është pyetur për afro 9-10 orë si person që ka dijeni, po në dhjetor 2024. Natyrisht, është një proces që nuk është se kalon shumë lehtë për persona që nuk janë mësuar të trokasin në atë godinë që të hyjnë dhe të jenë subjekt pyetjesh. Ka rastisur që një nga hetuesit që e ka marrë në pyetje disa ditë më parë, ka parë të nevojshme që të pyesë znj. Xoxa për fakte që ai e gjykonte të domosdoshme dhe të nevojshme. Dhe ka bërë një komunikim nëpërmjet telefonit, me ëhatsup ose sms, ku i është kërkuar ditë të shtunë të thirrej në SPAK për të dhënë disa deklarime shtesë. Rezulton që edhe në atë ditë z. Veliaj ka qenë në udhëtim jashtë shtetit dhe ata jetojnë vetëm, të tre, bashkë me djalin e tyre të mitur.
Imagjino tani, të jesh vetëm me fëmijë, je thirrur më parë dhe ke dhënë dëshmi 9 apo 10 orë për çfarë është dashur për të gjithë jetën tënde dhe ditë të shtunë që ti mendohet se do të pushosh të marrësh prapë një telefonatë nga një oficer i BKH-së, që thotë hajde edhe njëherë, përjetoje edhe njëherë atë situatë. E para, bashkëshorti nuk është. E dyta, fëmija me kë do të rrijë? Natyrshëm që këtë situatë t’ia përcjellësh bashkëshortit që nuk është aty pranë teje, është në udhëtim jashtë shtetit, është shumë larg, i cili krijon një perceptim të tijin për këtë situatë. Dhe në tekstin që unë e kam, por që nuk mund ta vendosim në dispozicion, nuk ka asgjë intimiduese”, tha avokati Beta.
KOHA JONË SONDAZH

