
Një ditë pas transferimit në burgun e Fierit, Erion Veliaj vijon të qëndrojë në sektorin më të vështirë të institucionit, në kushte që avokati i tij, Plarent Ndreca, i cilëson denigruese. Megjithatë, sipas Ndrecës, Veliaj paraqitet më i qetë emocionalisht pas takimit me familjarët.
Në një prononcim pas takimit të mbrëmjes së sotme, avokati ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka komunikuar zyrtarisht për transferimin. Sipas tij, institucionit iu deshën 32 orë për të dhënë një njoftim, duke e cilësuar çështjen si pjesë të sekretit hetimor, çka, sipas Ndrecës, pengon ushtrimin e së drejtës së ankimit.
Avokati e konsideroi këtë situatë në përputhje me shqetësimet e ngritura nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke veçuar kërkesën për dorëheqjen e ministrit Gogu.
Ndreca theksoi se përgjigjja e Drejtorisë së Burgjeve mbetet e paqartë dhe jo transparente. Për këtë arsye, ai bëri të ditur se do të vijojë ndjekjen e çështjes përmes rrugëve ligjore.
