Avokati i Frrokut: Ndalimi, absurd. Ndaj tij dy akuza të reja

Avokati i deputetit Mark Frroku, Saimir Vishaj është shprehur i befasuar nga urdhëri për ndalimin e klientit të tij, pasi parlamenti i hapi rrugë arrestimit lidhur me akuzën për vrasje të ngritur nga drejtësia belge. 

Në një prononcim për mediat, avokati Vishaj ka kundërshtuar edhe dy kallëzime penale të reja të bëra në dëm të klientit të tij, njëra për “pastrim produktesh” dhe tjetra për “refuzim të deklarimit të pasurisë”. 

“Ndryshe nga kërkesa e paraqitur tek komisioni parlamentar i mandateve, sot jam i befasuar pasi përveç asaj që dihej që ishte vepër penale e ndodhur në shtetin belg për vrasje me paramendim, me urdhër ndalimi, ndryshe nga kërkesa që i ishte bërë komisionit të mandateve, më datë 1 prill nga ILDKP është depozituar një kallëzim për “pastrim produktesh” dhe “refuzim të deklarimit të pasurisë”. Është një nonsens. Mua më duket që në momentin e parë që organi i procedurës nuk mban dot në këmbë atë çka ka regjistruar procedimi penal dhe ndryshe nga urdhëri i ndalimit që i është bërë Parlamentit, sot çuditërisht kemi 2 vepra penale për të cilat nuk lejohet urdhëri i ndalimit pa miratimin e Kuvendit. Kjo do të thotë që ne mund të shkojmë me disa akuza të reja në Gjykatën e Lartë nesër ose pasnesër”, ka deklaruar Vishaj. 

Sipas Vishajt, urdhëri për ndalimin jepet në ato raste kur ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurit, rrezik që në këtë rast “është imagjinar”. 

“Që të caktosh masa sigurimi të tjera në lidhje me procedimin penal nuk ka asnjë veprim të kundraligjshëm, por në rastin konkret organi i procedurës nuk kishte pse të ngutej pasi kishim një masë arresti shtëpiak të ruajtur me policë dhe neni 253 i Kodit Penal thotë se vetëm në momentin kur ekziston rreziku i ikjes vendoset masa e ndalimit. Ky rrezik është imagjinar dhe jo real. Rreziku duhet të jetë i provuar dhe jo në rrethana të tilla”, ka thënë Vishaj. 

Më tej avokati ka akuzuar Prokurorinë e Përgjithshme se po vepron jashtë parametrave të përcaktuar me ligj dhe se çështja ka dalë jashtë kuadrit ligjor. 

“Deri në këto momente kemi qenë të qetë, nuk është se nuk e dinim. E dinim përderisa një javë më parë Parlamenti dha leje për arrestim për një kundravajtje, e jo më për një vepër penale për të cilën akuzohet klienti im. Por është nonsens që për një hetim në shtetin belg të fillojë një hetim nga e para. Nuk ka logjikë juridike. Mendoj se kësaj radhe Prokuroria e Përgjithshme është nxituar duke shkuar përtej çdo paramentri dhe çështja ka dalë jashtë kuadrit ligjor, pasi nuk mund të ekzistojë asnjë lloj rreziku përsa kohë ka një masë sigurie të dhënë nga Gjykata e Lartë”, ka thënë Vishaj. 

Ai ka shtuar më tej se, në cilësinë e avokatit mbrojtës nuk i është paraqitur asnjë urdhër zyrtar ndalimi që mund të jetë lëshuar nga shteti belg tek institucionet shqiptare dhe në këtë drejtim, sipas avokatit, Parlamenti ka vepruar në shkelje. 

“E para ne nuk e dimë në ekziston një urdhër nga shteti belg. Deri në këto momente nuk jemi njohur me asnjë urdhër ndalimi apo dokument shoqërues që mund të jetë dërguar qoftë nga Ministria e Drejtësisë, qoftë Interpoli. Kemi disa numra dhe data për urdhërin e ndalimit, që për arsye hetimore nuk mund t’i deklarojmë, por nuk mund ta imagjinoj të shkoj në gjykatë që të realizoj një mbrojtje ligjore pa asnjë dokumentacion. Mbajtja sekrete e këtyre dokumenteve e ktheu Parlamentin në noteri”, ka thënë Vishaj, i cili ka hedhur poshtë akuzat e reja të ngritura ndaj deputetit Frroku. 

“Klienti im i ka bërë të gjitha deklarimet e pasurisë. Nuk dimë ç’të themi për akuzat e reja sepse jemi të befasuar dhe nuk jemi njohur me asnjë provë. Besoj se do të marrim proces-verbalin nga kuvendi i Shqipërisë për deputetët që kanë votuar, pasi ata që kanë dëshmuar në prokurori lidhur me çështjen “Frroku” nuk kanë të drejtë të votojnë”, ka shtuar avokati. / Top Channel 

SHKARKO APP