Avokati i Llallës: Vendimi u mor më 20 korrik, u publikua sot për një qëllim
Avokati Sokol Hazizi që mbron interesat e Adriatik Llallës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila sekuestroi disa pasuri të ish-kryeprokurorit.
I ftuar në emisionin ‘Debati në Channel One’, Hazizi ka zbuluar se vendimi ishte marrë që me datën 20 korrik, ndërsa u publikua sot për një qëllim: ose për të larguar vëmendjen nga seanca parlamentare, ku duhet të votohej Ligji i Magjistraturës ose për të hedhur shkopin diku tjetër; për këtë të fundit nuk ka ndonjë detaj.
“Sekuestro është mase e karakterit civil dhe jo penal që do të thotë se atij nuk i lejohet të shesë pasuritë e tij. Lëvizja e sotme ishte për të mbuluar seancën parlamentare ose për të hedhur shkopin diku tjetër. Po instrumentalizohet politikisht sepse ky vendim është marrë që me datë 20 korrik. Momenti që doli sot nuk është i rastësishëm, pasi prokuroria kontrollohet politikisht. Pra, qëllimi i vendimit është mbulimi i pështjellimeve që politika ka me Reformën në Drejtësi”, sqaroi avokati Sokol Hazizi.
Gjykata i sekuestroi Llallës një apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës; tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, pasi dyshon se janë blerë me të ardhura nga aktivitetet kriminale.
KOHA JONË SONDAZH

