Avokati i Popullit: Kërkoj lirimin e menjëhershëm të qytetarit pas krizave shëndetësore
Avokati i Popullit ka bërë të ditur se, për shkak të interesit të lartë publik, ka nisur një verifikim paraprak lidhur me pretendimet për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të Bllokut të Sigurisë. Sipas institucionit, hetimi është ndërmarrë menjëherë pas sinjalizimit dhe përfshin verifikime në disa institucione shëndetësore dhe policore.
Fillimisht, katër ndihmës komisionerë janë paraqitur në QSUT, ku qytetari ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk ishte e mundur të merrej dëshmia e tij. Më pas, ata kanë shkuar në Bllokun e Sigurisë, vendi ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja, për të mbledhur informacione nga personeli dhe personat e tjerë të ndaluar. Më vonë, pas transferimit të qytetarit në Spitalin e Traumës, verifikimet kanë vijuar edhe aty.
Sipas të dhënave të mbledhura deri në këtë fazë, nuk rezultojnë prova që të konfirmojnë se ndaj qytetarit është ushtruar dhunë gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë. Megjithatë, institucioni konfirmon se ai ka pësuar disa episode të përsëritura krizash shëndetësore, të lidhura me sëmundjen nga e cila vuan.
Avokati i Popullit thekson gjithashtu se qytetari është intervistuar edhe një ditë më parë dhe në dëshminë e tij nuk ka bërë asnjë pretendim për dhunë në asnjë fazë të ndalimit, shoqërimit apo qëndrimit në ambientet e sigurisë.
Institucioni njofton se procesi i verifikimit vijon dhe janë kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë nga ambientet ku mbahen të arrestuarit, të cilat do të analizohen përpara publikimit të rezultateve përfundimtare. Në vijim, Avokati i Popullit vlerëson se, duke u bazuar në dokumentacionin mjekësor dhe gjendjen e tij shëndetësore, mbajtja e qytetarit në qeli mund të përbëjë rrezik serioz dhe mund të jetë në kundërshtim me standardet e nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për këtë arsye, institucioni i kërkon prokurorisë dhe gjykatës që të rishikojnë menjëherë masën e sigurisë, duke e zëvendësuar atë me një masë më të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore.
KOHA JONË SONDAZH

