Azerbaxhani zbarkon në Shqipëri me investime

TAP/ Kryeministri Rama takohet me Natig Aliyev

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim, një delegacion nga Azerbajxhani, të kryesuar nga ministri i Industrisë dhe Energjisë, Natig Aliyev.

Kryeministri Rama u shpreh për një dinamike të re në marrëdhëniet me Azerbajxhanin dhe shprehu interesin e palës shqiptare për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ekonomik dypalësh. Nga ana e tij, Ministri Aliyev shprehu vlerësime të larta për Qeverinë shqiptare si një partner serioz, e cila i është përgjigjur në kohë, detyrimeve që rrjedhin nga projekti TAP.

Në takim u fol për avancimin e projektit për gazifikimin e Shqipërisë, për të cilin Ministri Aliyev tha se Qeveria e tij është e angazhuar për realizimin e këtij projekti.

Dy vendet po punojnë gjithashtu, për të identifikuar potenciale të reja bashkëpunimi edhe në fusha të tjera si turizmi, infrastruktura etj. Ministri Aliyev u zotua se do të inkurajojë praninë e kompanive azere në Shqipëri.

Meta: TAP e kthen Shqipërinë në portë hyrëse për investimet azere

Kryetari i Kuvendit priti sot Ministrin e Industrisë dhe Energjitikës së Azerbajxhanit, Natig Aliyev i cili shoqërohej prej Zv. Ministrit të Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Khalaf Khalafov dhe Presidentit të kompanisë shtetërore azere të naftës SOCAR, Rovnag Abdullayev.

Kryetari i Kuvendit pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Ministrin Aliyev dhe delegacionit azer, vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit kanë rëndësi strategjike duke marrë në konsideratë avancimin e Projektit TAP dhe IAP.

Në këtë kuadër Meta shprehu mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin konkret të bashkëpunimit mes dy vendeve duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy Ministrive të Energjitikës në funksion të gazifikimit të Shqipërisë ofron potenciale të mëdha zhvillimi për vendin dhe rajonin tonë.

Ministri i Industrisë dhe Energjitikës së Azerbajxhanit, Natig Aliyev u shpreh se bashkëpunimi aktiv mes dy vendeve në fushën e energjisë dhe gazit po thellohet gjithnjë e më tepër duke nënvizuar se përmes projektit TAP, Azerbajxhani krijon një lidhje të fortë me Evropën dhe së bashku me Shqipërinë kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjitike të hapësirës evropiane.

Kryetari Meta dhe Ministri Aliyev ndanë bindjen se progresi i projektit TAP dhe IAP si dhe gazifikimi i mëtejshëm i vendit e kthejnë Shqipërinë në një portë hyrëse për investimet azere në rajon në fusha të ndryshme, dhe për rrjedhojë ofrojnë potenciale të shumta për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, dhe në këtë drejtim Kuvendi i Shqipërisë do të ofrojë mbështetjen e tij të plotë.

SHKARKO APP