Azil në BE, nga Ballkani shqiptarët janë të parët

Fenomeni i azilit ka prekur thellë vendin tonë. Shqiptarët vijojnë të tentojnë çdo vit azilin në vendet e Bashkimit Europian. Kërkesat nga azilkërkuesit shqiptarë në shtetet e BE-së u rritën me 7 për qind në vitin 2019 nga viti i kaluar. Referuar një raporti të Agjencisë Europiane për Mbështetjen e Azilit, në nivel vjetor totali i aplikimeve për herë të parë arriti në 20,256, me një mesatare prej afro 1,700 aplikimesh për azil çdo muaj.  Në nivel rajonal, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ishte pesëfish më i lartë sesa ata nga Serbia, që raportoi rreth 3,900 aplikime për azil, Kosova 2,765, Maqedonia e Veriut 2,680, dhe Bosnjë-Hercegovina 1,313.

Në rastin e Shqipërisë, autoritetet refuzuan mbi 94 për qind të kërkesave për status refugjati dhe për mbrojtje sipas të drejtave ndërkombëtare të njeriut. Kjo përqindje për vendet e rajonit ishte më e ulët, vetëm 1 për qind kërkesa të pranuara për azil. Në vitin 2019, kërkesat për azil nga e gjithë bota në vendet e BE-së u rritën me 13 për qind në mbi 700 mijë. Aplikimet më të shumta erdhën nga sirianët dhe afganët, por mes 10 kombësive kryesore ishin edhe turqit, iranianët, nigerianët dhe shqiptarët.

Vendi po përjeton tronditjen e saj të tretë demografike që nga rënia e komunizmit. Shqiptarët kanë formuar kombësinë e parë si azilkërkues në Francë. Të mbërritur ligjërisht, ata kërkojnë azil politik që sipas autoriteteve franceze, nuk kanë shanse për ta fituar. Mungesa e ndonjë mundësie ligjore të migrimit ekonomik, i detyron ata të përdorin këtë rrugë, e cila peshon në mënyrë disproporcionale në procedurat për dhënien e të drejtës së azilit.

SHKARKO APP