Babai i Kaçifas me dy avokatë te Krimet e Rënda, do pyetet për vrasjen
Babai i 35-vjeçarit, Konstandinos Kaçifa dhe avokati grek kanë mbërritur mesditën e sotme te Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Jani Kaçifa është thirrur nga prokurori i çështjes, Njazi Seferi, për tu marrë në pyetje lidhur me vrasjen e djalit të tij nga forcat RENEA të dielën e 28 tetorit në Bularat.
“Pasi ka sekuestruar të gjitha pamjet filmike, prokurori i çështjes, Njazi Seferi, ka thirrur sot si një person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes babain e të ndjerit. Ai shoqërohet nga një avokat shqiptar dhe një grek. Ka të pranishme dhe media greke. Ndërkohë që ekspertët vazhdojnë të kryejnë një riekspertim të trupit të pajetë të Konstandin Kaçifas, i cili ndodhet akoma në morgun e Tiranës” raportoi nga Krimet e Rënda gazetarja Keti Banushi.
Një oficer i policisë greke pritet të mbërrijë sot në Tiranë lidhur me vrasjen e Kostandinos Kaçifas.
Lajmi është dhënë mëngjesin e sotëm nga agjencia zyrtare e lajmeve, ANA-MPA, sipas të cilës oficeri grek do të marrë pjesë në hetime.
Sipas agjencisë, pjesëmarrja u dakordua midis Athinës dhe Tiranës, në kuadër të bashkëpunimit që kanë policitë e të dy vendeve.
Nuk dihet roli që do të ketë përfaqësuesi grek në hetime, ndërkohë që grupi hetimor po mbikqyr provat dhe rezultatet e hetimit të Prokurorisë së Gjirokastrës.

/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

