Babai i Noizyt në GJKKO: Nuk e di kush e sulmoi lokalin, ishim në gjumë
Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës ndaj bandës së Laert Haxhiut, ku dëshmitar është babai i reperit të njohur, Noizy, Bashkim Rajku. Ai ka rrëfyer se në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë dhe ka dëgjuar zhurmën nga sulmi ndaj lokalit që ndodhej në të njëjtin objekt. ”Kur ka ndodhur ngjarja kemi qenë në gjumë. Zbritëm dhe pamë xhamat e thyer, gjithçka e shkatërruar”, tha Rajku, duke shtuar se nuk kishte dijeni për autorët dhe se nuk kishte konflikte të mëparshme me askënd.
Pjesë nga diskutimet në sallë
Bashkim Rajku: Ngjarja ka ndodhur para 4 vitesh në 2022. Unë në ato momente kam qenë në gjumë. Kemi gjetur lokalin të shkatërruar. Banesën e kam në të njëjtin objekt, e kemi dëgjuar zhurmën. Kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i mbyllur lokali. Administratorja e dyqanit të rrobave është vajza ime, nuk ka qenë aty. Djali im është muzikant. Kur ka ndodhur ngjarja nuk e mbaj mend ku ka qenë.
Djali jeton në banesë tjetër, aty afër, në të njëjtin pallat. Zbritëm kur dëgjuam zhurmën. Kur zbrita poshtë, nuk e di nëse ka zbritur njeri tjetër. Pashë xhamat e thyer, prishur gjithçka. Lokali 100 metër katror, në kat të parë të pallatit. Roje s’ka pasur. Ne nuk dimë asgjë me çfarë lidhej ngjarja. Nuk e njoh as nuk e di autorin. S’kemi pasur probleme me askënd. Djali artist është, ku di gjë unë. Konflikt të madh nuk kemi, por çështje xhelozie.
Prokurori: E ke dëgjuar një Kleviol Ahmeti?
Bashkim Rajku: Ka pasur fërkime, çështje xhelozie me djalin tim. Më duket se nga Lushnja është.
Prokurori: Kur thoni xhelozi, për çfarë?
Bashkim Rajku: Për punë muzike, edhe ai është këngëtar. Nuk di të ketë pasur konflikt fizik mes tyre.
KOHA JONË SONDAZH

