Babai: Sillni djalin, ta pushkatojnë dhe ta hedhin në liqen siç hodhën Dritën
Babai i 26-vjeçarit Ervis Zotaj, një prej tre të akuzuarve për vrasjen e 51-vjeçares Drita Saliaj në Gjerbës të Mallakastrës, kërkon dënim me vdekje për të birin. Edhe më herët ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim të fortë. Ai thotë se drejtësia duhet të zbardh sa më shpejt këtë ngjarje dhe të ndëshkoje autorët. Babai i Ervisit, thotë se për të birin duhet dënim maksimal.
“Ta vrasin. Nuk ma merr mendja se evlati im ta ketë bërë, por nëse e ka bërë le ta çojnë në mes të Mallakastrës dhe ta vrasë i zoti i hallit dhe ta hedhë atje ku hodhën atë (Drita Saliaj)”. I pyetur nëse ka frikë nga ndonjë hakmarrje, ai thotë se gjithçka mund të ndodhë por kërcënime nuk ka patur. Nga ana tjetër, nëna e Ervisit tregon se “djali ka pirë qumësht tek ajo e merrte dhe i thoshte “do pish sisë te gegeja”. Të bëjë Visi im këtë, më dhemb shpirti për Dritën. E kisha shumë shoqe, më 2 janar e takova dhe e urova për festat. Ajo s’më dëgjon, ngrehu Drita dëgjo ca po them”.
Ahir Saliaj, bashkëshorti i së ndjerës, më herët ka kërkuar drejtësi në mënyrë që autorët e vrasjes të marrin ndëshkimin e merituar, edhe pse njëri prej tyre është djali i vëllait. “Patjetër, edhe fëmija po të ishte ai është krim”. Familjarët e Drita Saliajt kërcënojnë me vetëgjyqësi, nëse drejtësia nuk do të veprojë me rreptësi ndaj autorëve të krimit makabër që ndodhi në Mallakastër.