”Babi i kandidatit të PS dhunoi kreun e PD-së në degën Bulqizë”, Përparim Spahiu nxjerr videon: SPAK të veprojë

Kandidati për deputet i Partisë së Lirisë, Përparim Spahiu ka publikuar pamjet e përplasjes në Ostren të Bulqizës gjatë një takimi elektoral. Ai ka deklaruar se babai i kandidatit të PS-së ka dhunuar kryetarin e PD-së në degën Bulqizë, Shaqir Manjani. “Shfaqjet e dhunës në Ostren nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si duhet bërë fushatë, jo vetëm aty, por kudo”, shkruan Spahiu duke kërkuar nga SPAK të hetojë ngjarjen.
Postimi i plotë
Babi i kandidatit të PS në Bulqizë ka dhënë shembullin më të keq dhe më të papranueshëm për djalin e tij me aktin e dhunimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Shaqir Manjani. Shfaqjet e dhunës në Ostren nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si duhet bërë fushatë, jo vetëm aty, por kudo.
Në asnjë rast apo rrethanë nuk do t’i lejoja vetes kredo politike nëpërmjet dhunës. Nuk e kam bërë asnjëherë në 12 vite angazhim politik.
Shaqir Manjani, përveçse është kryetar i partisë që drejton fushatën time, me profesion është avokat dhe ka zgjedhur mënyrën më të mirë, dhe të vetmen që duhet ndjekur: denoncimin në organet ligjzbatuese.
I bëj thirrje SPAK të veprojnë shpejt dhe drejt, si një mesazh i qartë se hetimi dhe gjykimi i ngjarjeve të tilla bëhet vetëm prej tyre, dhe jo nga unë, rrjetet sociale apo mediat.
Partia Demokratike dhe unë do të dalim fitues në Bulqizë, me votën dhe mbështetjen e qytetarëve që duan ndryshim dhe dinjitet. Fitorja jonë është e sigurt sepse është ndërtuar mbi punë, respekt dhe besim.