Balla: Hyrje-daljet në rrugën dytësore të Kavajës sistemohen pas vitesh problematikash

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka inspektuar punimet që po zhvillohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për hapjen, sistemimin dhe asfaltimin e hyrje-daljeve në rrugën dytësore të qytetit të Kavajës. Sipas tij, kjo ndërhyrje do t’i japë fund një problematike të kahershme që ka vështirësuar lëvizjen e banorëve, bizneseve dhe mjeteve të emergjencës.

Gjatë vizitës në terren, Balla u shpreh se mungesa e aksesit ka krijuar prej vitesh vështirësi për qytetarët, sidomos për ata që duhet të shkonin drejt Spitalit të Kavajës ose të përdornin mbikalimin. Ai theksoi se, edhe pse investimi ka ardhur me vonesë, është një zgjidhje e domosdoshme për komunitetin dhe do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin në këtë zonë.

Balla bëri të ditur se në planet e Ministrisë së Shëndetësisë parashikohet që Spitali i Kavajës të shndërrohet në një qendër rajonale urgjence. Për këtë arsye, ai e cilësoi të domosdoshëm përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke theksuar se në rastet e urgjencës çdo sekondë është vendimtare për shpëtimin e jetëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai njoftoi gjithashtu se do t’i kërkohet Autoritetit Rrugor Shqiptar të shqyrtojë mundësinë e krijimit të një hyrje-daljeje të drejtpërdrejtë drejt spitalit, në mënyrë që ambulancat dhe qytetarët të kenë akses më të shpejtë, pa qenë të detyruar të përdorin devijime në rrugët dytësore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë inspektimit u përmend edhe rasti i një biznesi karburanti, i cili kishte mbetur jashtë funksionit për shkak të mungesës së hyrje-daljes. Me përfundimin e punimeve, pritet që aktiviteti të rifillojë, duke dhënë një sinjal pozitiv për zhvillimin ekonomik të zonës.

Në përfundim, Balla kërkoi më shumë kujdes për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave përgjatë akseve rrugore, duke theksuar se Kavaja ka potencial të madh për zhvillim dhe se investimet në infrastrukturë duhet të shoqërohen edhe me përmirësimin e mjedisit urban.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?