Balluku: Të ulim me 50 % aksidentet rrugore deri në 2030
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në konferencën ”Siguria Rrugore 2020”, tha se Shqipëria do të rrisë investimet në infrastrukturën rrugore dhe zbatimin e metodave inovative të identifikuara në praktikat ndërkombëtare për parandalimin e aksidenteve në rrugë, duke iu bashkuar angazhimit për uljen me 50% të aksidenteve rrugore në vitin 2030.
”Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka renditur sigurinë rrugore si një nga prioritetet globale për zgjidhje, njësoj si zhdukja e varfërisë, të drejtat e njeriut dhe ndryshimet klimaterike. Shifrat botërore tregojnë se në vit arrin në 1.35 milionë numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore. Asnjë luftë asnjë sëmundje nuk krijon 3700 jetë të humbura në ditë, nga aksidentet rrugore”.
Sipas saj, viti 2030 është vendosur si një pikë për të arritur disa nga objektivat për rritjen e sigurisë rrugore në këtë 10- vjeçar. ”Për të zvogëluar aksidentet në rrugë ne na duhet një transformim në mentalitet fillimisht. kemi nevojë të evoluojmë në një epokë të re e cila është bazur mbi sigurinë, ç’ka do të thotë që siguria është një vlerë e panegociueshme”.
Ajo solli në vëmendje respektimin e kushteve të sigurisë maksimale në linjat e trafikut ajror, duke kërkuar që ky model të zbatohet e dhe në transportin rrugor që është edhe më i aksesueshëm nga qytetarët. Gjatë 2019 janë regjistruar 3,8% e aksidenteve rrugore në akset kryesore ndërsa 35% e tyre në rrugët dytësore, ndërsa në 70% të këtyre rasteve janë identifikuar si pasojë e gabimit të këmbësorëve.