Banesa përfshihet nga zjarri në Tiranë, 19-vjeçarja mbetet e bllokuar brenda
Një banesë është përfshirë nga zjarri mbrëmjen e djeshme në rrugën “Sali Nivica” në Tiranë, teksa një vajzë ka mbetur e bllokuar brenda, duke iu rrezikuar jeta.
Bëhet fjalë për shtetasen E. D., 19 vjeçe, e cila është shpëtuar pas ndërhyrjes së efektivëve të Policisë, teksa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas bluve të kryeqytetit, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndihmojnë një shtetase që kishte mbetur e bllokuar në banesën e saj, pasi kishte rënë zjarr.
Mbrëmjen e djeshme, Policia ka marrë njoftim se në një banesë në rrugën “Sali Nivica”, kishte rënë zjarr dhe një shtetase rrezikonte jetën, pasi kishte mbetur e bllokuar brenda në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, bashkë me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe i kanë dhënë ndihmë shtetases E. D., 19 vjeçe, e cila kishte mbetur e bllokuar brenda banesës që ishte përfshirë nga zjarri.
19-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetën.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.