Banka e Shqipërisë, Sejko: Rritja e çmimit të naftës rrezikon inflacionin
Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit për lekun, duke e lënë atë në nivelin 2.5 për qind. Vendimi u bë i ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë konferencës për mediat pas prezantimit të raportit të politikës monetare. Në qendër të vëmendjes së bankës këtë herë kanë qenë zhvillimet e çmimeve dhe ndikimi që ato mund të kenë mbi ekonominë shqiptare. Sipas Sejkos, rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare përbën një nga rreziqet kryesore, pasi mund të përkthehet në presione të reja inflacioniste.
Guvernatori paralajmëroi se një shtrenjtim i mëtejshëm i naftës mund ta çojë inflacionin mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa në të njëjtën kohë mund të frenojë ritmin e rritjes ekonomike. “Rritja e çmimit të naftës në tregjet e huaja do të sjellë një rritje të inflacionit mbi objektiv dhe një ngadalësim të rritjes ekonomike”, u shpreh Sejko.
Sipas tij, parashikimet e bankës mbështeten në pritshmërinë për një përfundim të shpejtë të luftës, ndërsa situata vijon të karakterizohet nga pasiguri e lartë. “Pasiguria mbetet e lartë dhe balanca e rreziqeve është rritur”, deklaroi Guvernatori. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se në këtë fazë është e nevojshme të ruhet qëndrueshmëria e politikës monetare, duke lënë normën bazë të interesit në 2.5 për qind.

