Ajo që po ndodh në Partinë Socialiste ngjan gjithnjë e më pak me një debat të zakonshëm të brendshëm dhe gjithnjë e më shumë me një përplasje të hapur për pushtetin, ndikimin dhe të ardhmen politike. Deklaratat e forta, akuzat për kërcënime, përplasjet mes figurave drejtuese dhe ankesat publike të Erion Veliajt kanë nxjerrë në sipërfaqe një parti që nuk po arrin t’i mbajë më konfliktet e saj pas dyerve të mbyllura.
Elisa Spiropali pretendon se është kërcënuar nga njerëz të Belinda Ballukut. Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka deklaruar se Spiropali dhe bashkëshorti i saj e kanë kërcënuar pas kontrolleve ndaj bizneseve të paligjshme. Këto janë akuza serioze dhe kërkojnë sqarim me prova e përgjigje institucionale, jo thjesht kundërakuza politike.
Ndërkohë, Erion Braçe kërkon një garë të hapur për kandidatin e PS-së për kryebashkiak të Tiranës, ndërsa Erion Veliaj akuzon kryeministrin se po e përndjek dhe i drejton me ironi një letër publike Belinda Ballukut, duke lënë të kuptohet se ajo ka më shumë pushtet se kreu i qeverisë. Secila prej këtyre deklaratave e shton zhurmën, por edhe e bën më të dukshme përplasjen brenda partisë.
Kur akuzat për kërcënime, kontroll institucionesh dhe përjashtime nga partia bëhen publike, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë dhe hetim të paanshëm.
Partia që qeveris vendin nuk mund ta trajtojë këtë situatë si një sherr familjar. Gjithçka ka dalë në publik deri tani nga sherrnaja në PS tregon se kjo parti po humbet besimin në sytë e njerëzve, por fati i tyre mbetet Berisha, që akoma drejton PD.
