Banka Shqiptare e Zhvillimit, Ministri Malaj: Financim deri në 1 miliard euro për sektorët e nënfinancuar
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se Banka Shqiptare e Zhvillimit do të ketë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e sektorëve ekonomikë me akses të kufizuar në financim, duke u fokusuar edhe në projekte strategjike të qeverisë.
Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Malaj u shpreh se në mbledhjen e sotme është prezantuar nga drejtimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit ecuria dhe zhvillimet më të fundit të këtij institucioni financiar.
“Ky institucion është konceptuar për t’u ndërtuar me një kapital prej rreth 10 miliardë lekësh, ose 100 milionë euro. Është një institucion financiar i cili do të ketë potencial të plotë për të financuar nga minimalisht 500 milionë euro deri në maksimalisht 1 miliard euro”, deklaroi Malaj.
Sipas tij, banka do të ketë si mision kryesor financimin e sektorëve të nënfinancuar dhe të ndërmarrjeve që nuk kanë akses të mjaftueshëm në financim, si dhe projekteve strategjike të qeverisë shqiptare.
Ai shtoi se ndër sektorët prioritarë të identifikuar janë bujqësia, agropërpunimi, projektet infrastrukturore strategjike, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), banesat sociale, inovacioni dhe digjitalizimi, si dhe projektet në fushën e energjisë dhe efiçencës energjetike.
KOHA JONË SONDAZH

