Bankat shkelin të dhënat personale, Dervishi: Ka penalizime
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, organizuan aktivitetin me temë “Rregullat në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin bankar”. Besnik Dervishi, në fjalën e tij vlerësoi përmbushjen e detyrimeve ligjore nga subjektet që e ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor për sigurimin e standardeve të larta dhe garancive të plota për “subjektet” e të dhënave personale.
“Sektori bankar është nga më të rëndësishmit përsa i përket grumbullimit, numrit të madh të përpunimeve dhe natyrës sensitive të të dhënave personale. Në dy vitet e fundit janë gati 300 hetime administrative të kryera nga Zyra e Komisionerit, ku përfshihen edhe ato të zhvilluara në “kontrolluesit” bankë apo në institucione të tjera financiare. Duke analizuar mangësitë e konstatuara, përveç vendimmarrjes për çdo rast, kemi dalë me rekomandime unifikuese për sektorin, duke ua bërë me dije vetë kontrolluesve apo edhe Autoritetit rregullator. Këtë gjë e kemi bërë edhe me sektorin bankar dhe ky takim duhet të konsiderohet si një hap në investimin e përbashkët që duhet të ndërmarrim për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale”,- tha Komisioneri.
Aktivitetin e përshëndeti Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i SHSHB, i cili theksoi bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit.
Por, për çfarë qëllimesh, bankat keqpërdorin të dhënat personale të qytetarëve? “Për të bërë reklamë, për shitje elektronike, për oferta të agjencive turistike. Banka ua kalon informacionet kontrolluesve të tjerë, subjekteve të tjerë që të përdorin të dhënat tona personale”, u shpreh më tej Dervishi.
Komisioneri i Mbrojtjes së të dhënave personale është vlerësuar me çmim të parë, në konkursin që zhvillohet nga Konferenca ndërkombëtare e mbrojtjes së të dhënave personale në Bruksel. “Për kategorinë e ndërgjegjësimit, Shqipëria në 44 projekte të paraqitura fitoi vendin e parë dhe mori edhe çmim”, tha Dervishi.
KOHA JONË SONDAZH

