Bankers: Gjobën e paguam, banorët do të dëmshpërblehen

 

Gjatë një emisioni televiziv mbrëmjen e sotme, zv.presidenti i Bankers Petroleum Leonidha Çobo garantoi se banorët e Marinzës të prekur nga aksidenti i ditëve të fundit do të dëmshpërblehen. Ai bëri me dije se “Programi ishte që të shpoheshin 11 puse, por fontana u bë e pakontrolluar dhe gazi doli në sipërfaqe.” Çobo vijoi më tej duke thënë se “gazi i çliruar ishte dioksid karboni dhe nga vatra që shpërtheu u shpuan 9 puse të tjera”. Drejtuesi i lartë i kompanisë kanadeze theksoi se po punohet “për rehabilitimin e gropave” dhe se “gjoba u pagua, por do ta ankimojmë në gjykatë për drejtësi”. I pyetur për ligjshmërinë e veprimeve që sollën incidenti, ai tha se “për vatrën në fjalë ka leje mjedisore”.

Dael Dervishi, drejtor i AKBN, i cili qe gjithashtu i ftuar së bashku me Z. Çobo deklaroi se “AKBN ka rol të kufizuar në zonat e prodhimit dhe se pusi aktual ishte shpuar në mënyrë korrekte”. Por sipas tij “duhej të ishte marrë parasysh vendburimi”. Pas incidentit Z. Dervishi deklaroi se u ngrit një “grup pune me inxhinierë të specializuar”.

Nga ana e tij, Z.Ergys Agasi, kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, i cili qe gjithashtu i pranishëm bëri të ditur se “gropat që u hapën nga shpërthimi ishin të rrezikshme dhe kompania u gjobit me 50 milionë lekë të reja” për incidentin e shkaktuar. Por ai  nuk e konfirmoi që gjoba të jetë paguar nga kompania, duke thënë se nuk kishte dijeni ende për një gjë të tillë. Agasi tha gjithashtu se nga ana e institucionit që ai drejton është kërkuar rivlerësimi i lejes mjedisore.

SHKARKO APP