Banorët e 5-katëshit në Shkozet: Pallati u dëmtua nga ndërhyrjet e biznesit

Me një akt ekspertimi të pas tërmetit të 21 Shtatorit, banorët e një pallati 5 katësh në Shkozet të shembur pak ditë më parë akuzojnë bizneset e katit të parë se ndërhyrjet në objekt dëmtuan strukturën dhe e çuan drejt shembjes. Ata thonë se problematikën ua kishin paraqitur institucioneve, por askush nuk e mori parasysh. Ndërsa tashmë ata kërkojnë rindërtimin e objektit aty ku ishte duke kundërshtuar planin për lagjen e Porto Romanos!

Banorët e pallatit 5 katësh në Shkozet të Durrësit që u shemb disa ditë më parë me shpërthim të komanduar, akuzojnë bizneset që operonin në kat të parë se ndërhyrjet e tyre në strukturë dëmtuan objektin!

“Pallati ishte shumë mirë”

Akuzat i bazojnë në këtë akt ekspertimi të ndërtesës pas tërmetit të 21 Shtatorit ku ekspertët vlerësojnë se ndërhyrjet kanë dëmtuar kolonat dhe muret mbajtëse.

 “Muret mbajtëse të tullës janë plasaritur dhe vende vende janë shkëputur nga kolonat dhe trarët B/a duke e bërë të dalë jashtë funksionit. Në këtë objekt është e nevojshme të bëhet analizë e detajuar e cedimit të objektit, kushteve gjeologjike të tokës i cili mund të cojë në nevojën e përforcimit të themeleve të godinës, ribërjen e mureve mbajtëse dhe kjo mund të bëhet vetëm pas një projekti konstruktiv”

Banorët thonë se ishin ankuar disa herë në instancat përkatëse për këtë problem, por nuk ishte marrë parasysh.

“Bashkia e Durrësit na tha vazhdoni në shtëpi, kurse bizneset vazhdonin rregullonin”

Tërmeti i 26 nëntorit e bëri pallatin të pabanueshëm dhe tashmë familjet që jetonin aty janë të pastrehë.

Por ata kundërshtojnë projektin e qeverisë për ndërtimin e një lagjeje të re në Porto Romano, por kërkojnë rindërtimin e shtëpive aty ku i kishin.

“Unë nuk lëviz nga ky vend, sepse e kam blerë me gjak”

“Këtu nuk ka funksionuar as pushteti vendor as qendror”

Pallati 5 katësh në zonën e Shkozetit është një prej rasteve për tu hetuar nga prokuroria e Durrësit që është duke hetuar shembjen e ndërtimeve pas tërmetit.

Ora News - Banorët e 5-katëshit në Shkozet: Pallati u dëmtua nga ndërhyrjet e biznesit

/Ora News

SHKARKO APP