Banorët e Rrjollit vijojnë përplasjet me policinë, Erald Kapri thirrje për hetim
Deputeti i Partia Mundësia, Erald Kapri, ka publikuar një video nga Policia e Shtetit në Shkodër, ku shihet një vajzë e mitur duke pritur të takojë nënën e saj, e cila ishte shoqëruar nga policia pas një proteste në zonën e Rrjollit.
Ngjarja lidhet me protestat e vazhdueshme të banorëve në zonën Baks-Rrjoll, në Velipojë, ku prej rreth tre javësh kundërshtohet ndërtimi i një resorti turistik. Banorët pretendojnë se zotërojnë toka të trashëguara në këtë zonë dhe kërkojnë pezullimin e projektit deri në zgjidhjen e çështjes së pronësisë.
Në pamjet e publikuara shfaqet momenti kur gruaja del nga komisariati dhe përqafohet me vajzën e saj. Kapri, në reagimin që shoqëroi videon, i bëri thirrje Prokurorisë të nisë hetime për mënyrën e shoqërimit të protestuesve dhe veprimet e policisë gjatë ndërhyrjeve.
Prej javësh, tensionet në zonë janë shtuar, ndërsa disa banorë janë shoqëruar në komisariat pas përplasjeve me forcat e rendit. Banorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në një zgjidhje përfundimtare për pronat dhe projektin turistik në Rrjoll.
KOHA JONË SONDAZH

