Banorët e Vlorës me lot në sy: Mundin e një jete e mori uji, natën e kaluam jashtë!
Vlora është në kaos nga përmbytjet si kurrë më parë. Të gjitha banesat e kateve të para në lagjen “ 11 Janari” në Vlorë , në zonën e njohur si “ Pusi i Mezinit” janë përmbytur. Me lot në sy, banorët rrëfejnë momentet e ferrit kur uji vërshoi në banesa. Të gjitha orenditë shtëpiake janë mes ujit dhe baltës.
Nënë Liria i ka kaluar të 80-tat por nuk mban mend kurrë më parë përmbytje si e 4 tetorit, kur uji vërshoi në banesën e saj, duke dëmtuar të gjitha orenditë shtëpiake. Sot gjendet në mëshirë të fatit pa asnjë ndihmë, ndërsa mezi qëndron në këmbë.
”Unë jam 80 vjeçe dhe kam operuar syrin. E kam gdhirë në karrige se nuk e lamë shtëpinë se kishim frikë se mos na vinte shiu prapë. Kërkuam policinë dhe bashkinë askush s’na erdhi. Ka dy vite që nuk pastrohet kanali, 100 here u kam dhënë. Ishalla të vijë këtu të kërkojë vota! Rreth orës 4 zuri shiu dhe na erdhi me furi. E dha kanali gjithë këtë punë, kur u mbush kanali doli mbi rrugë, u mbytëm brenda. Të gjitha plaçkat e shtëpisë janë dëmtuar. Notonte frigoriferi në ujë. Është e dyta here që mbytemi, erdhi kryetari herën e parë na dhanë copë letër dhe nuk na i dhanë shpërblimin”,-tha për ”Report Tv”.
Banorët fajësojnë bashkinë që nuk ka pastruar kanalin kullues që sicc shihet në pamje është i mbuluar nga plehrat. Të shkatërruar ekonomikisht dhe të braktisur në fatin e tyre, ata nuk fshehin zhgënjimin ndaj qeverisë dhe bashkisë. Përmbytjet në Vlorë kanë lënë pas dëshpërim dhe tek bizneset. Farmacisti Fotaq Veneti përshkruan dëmin e madh që shkon rreth 100 mijë euro.
Institucionet nuk kanë bërë ende një bilanc të dëmeve në Vlorë, por të gjithë banorët e varfër dhe ata qe mbajnë familjet me biznesin e vogël kërkojnë nga qeveria dëmshpërblim për pronat e tyre të shkatërruara.