Banorët në Bushnesh të Krujës në mjerim 10 muaj pas tërmetit: Jemi në gradë të fundit. Duam veç shtëpinë nga shteti
Fran dhe Bardhe Krosi nga fshati Bushnesh, një zonë që ndan Kurbinin me Krujën, janë një çift të moshuarish që në tërmetin e 26 nëntorit kanë humbur banesën e tyre. Prej asaj dite, ata jetojnë në mjerim të plotë në një çadër që nuk përmbush asnjë kusht normal jetese, pasi burrë e grua janë të moshuar dhe të sëmurë.
Kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi u ndal në këtë familje që edhe pse ka kaluar 10 muaj nga tërmeti, sipas tij, askush nuk i ka ndihmuar dhe nuk kanë marrë asgjë nga shteti. Me lot në sy, Frani thotë se e vetmja gjë që kërkon është një shtëpi me dy dhoma sa për të futur kokën, pasi i ftohti dhe shiu që ka nisur iu rrezikon jetën në çadër.
Fran Krosi: Unë jam Fran Nikoll Krosi prej Bushneshti e prej Kruje, rrethit të Krujës.
Belind Këlliçi: Ka ardhur kush nga shteti?
Fran Krosi: Jo për Zotiin, rob i gjallë shteti, jo!
Belind Këlliçi: A s’ka ardh kush me ju pyt?
Fran Krosi: Jo, jo për Zotin! Për Zotin jo!
Belind Këlliçi: Po nga bashkia?
Fran Krosi: Asnjë rob i gjallë! Asnjë!
Belind Këlliçi: Po a ju kanë ndihmuar deri tani, ju kanë dhënë ndonjë ndihmë?
Fran Krosi: Asnjë, asnjë ndihmë, asnjë send nuk na kanë dhënë neve të dyve pleq.
Belind Këlliçi: Po ky shiu i madh që ra, si ju gjeti? Në çadër?
Fran Krosi: Në çadër, po në çadër, në çadër besoj!
Belind Këlliçi: Po s’ka ardh kush me ju pyt? Se dimri përpara, erdhi dimri…
Fran Krosi: Jo për Zotin! As para, as mbrapa nuk ka ardhur rob i gjallë me na pyt, as me vrejt, asnjë send.
Belind Këlliçi: Po ju 80 vjeç keni 10 muaj që rrini në çadër?!
Fran Krosi: Për Zotin po. Për Zotin!
Belind Këlliçi: Po çfarë prisni të ndodhi tani?
Fran Krosi: Unë nuk e di se çfarë presim! Ne presim me shku tek gropa. Veç me shku tek gropa, atë presim! Unë për vete po një herë, se jam i sëmurë, me diabet, me tension, me zemër. Unë për vete jam me ilaçe. Edhe kjo e vjetër. Ne presim me shku tek gropa!
Belind Këlliçi: Me çfarë të ardhurash jetoni?
Fran Krosi: Të ardhura veç pensionin. Pensionin kjo, pensionin unë, asnjë të ardhur tjetër, asnjë të ardhur! Veç pensioni i kësaj, pensioni im, me ta kalojmë. Jena shumë keq, shumë, shumë keq, deri aty në grad të fundit. Veç të më bëjnë shtëpinë, nuk i du gjë tjetër shtetit. Unë, të më bëjnë shtëpinë siç e kam pasur, mor të paktën dy dhoma të rrimë. Mos të rrimë në çadër. Mos të rrimë në çadër!