Bardhi takohet me ambasadorin e Holandës: Shqetësim për përpjekjet e qeverisë për të minuar luftën kundër korrupsionit
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është takuar këtë të shtunë me ambasadorin e Holandës, Reinout Vos. Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi vlerëson mbështetjen e Holandës për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa shton se i ka shprehur shqetësimet për përpjekjet e qeverisë për të minuar luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen ndaj zyrtarëve të lartë.
“Kënaqësi takimi me Ambasadorin e Hollandës në Tiranë, z. Reinout Vos, një zë i fuqishëm në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë.
Rikonfirmova vendosmërinë e Grupit Parlamentar të PD që procesi i integrimit europian është një projekt kombëtar që duhet të mbështetet pa asnjë hezitim, me qëllimin e vetëm integrimin tek standardet europiane.
Në takim paraqita shqetësimet tona për cenimin nga maxhoranca qeverisëse e lirisë së zgjedhjes dhe përpjekjet e Edi Ramës për të minuar luftën kundër korrupsionit përmes ndërhyrjeve politike në drejtësi dhe mbrojtjes së zyrtarëve të lartë të korruptuar, si dhe degradimin e funksionimit demokratik të institucioneve përfshirë Kuvendin e Shqipërisë.
Për Partinë Demokratike dhe opozitën, Bashkimi Europian është një rend demokratik i ndërtuar mbi zgjedhjet e lira dhe të ndershme, institucione të forta, luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, barazi para ligjit dhe kufizim të pushtetit. Këto standarde nuk funksionojnë të ndara, por duhet të sigurohen nga një qeverisje e përgjegjshme.”, shprehet deputeti.
KOHA JONË SONDAZH

