”Barinjtë po djegin pyjet”, thirrja nga Dedej: Të ashpërsohen ndëshkimet
Barinjtë po i vënë zjarrin vendin me qëllim që të përfitojnë sa më shumë kullota. Kreu i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, thotë se ky institucion propozon që asnjë bari që kërkon të marrë në përdorim sipërfaqet e djegura për kullotë, të mos i përfitojë ato.
Po ashtu ai thotë se kjo masë duhet marrë për të penalizuar pronarët e stanëve në mënyrë që të heqin dorë nga vendosja e zjarreve të qëllimshme.
“Çfarë ndodh konkretisht? Barinjtë i vënë zjarrin zonave për kullota. Pra do të ndalohne që t’i përdorin këto kullota. Ose do të ndërgjegjësohen ata, ose do t’i shkojmë deri në fund, sepse disa lodhen dhe rropaten për të shuar zjarret dhe të tjerët përfitojnë”.
Nga ana tjetër, Dedej thotë se vënia nën kontroll e vatrave si ajo e Karaburunit kërkon patjetër avionë ujë-mbajtës, gjë për të cilët qeveria shqiptare po negocion me palën italiane për t’i blerë.
”Do të ishte mirë që Shqipëria të ketë avionë që mbajnë ujë sepse kanë kapacitete më të mëdha sesa helikopterët. Kam biseduar me palën italiane dhe Shqipëria është në tratativa për të marrë të tillë përmes një fondi të akredituar”.