Barjaba, takime në Departamentin e Shtetit: Kuvendi do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e demokracisë

Drejtori i Kabinetit i Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, Kosta Barjaba, ndodhet këto ditë në Washington DC.

Nga njoftimet që ka bërë në Twitter,  Barjaba ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të diplomacisë amerikane.

“Me shefen e re të zyrës për Shqipërinë në Departamentin e Shtetit, zonjën e nderuar Jean N. Phillipson, patëm një takim shumë të mirë dhe diskutim mjaft të frytshëm, dhe theksuam se Kuvendi do të vazhdojë të punojë akoma më shumë për konsolidimin e demokracisë, avancimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Barjaba në llogarinë e tij në këtë rrjet social.

Ndërsa me eksperten e DASH nga Byroja e Organizatave Ndërkombëtare, Carrie LaCrosse,  Barjaba shkëmbeu mendime rreth kontributit të Kuvendit që Shqipëria dhe ShBA të kenë qëndrime të unifikuara në çështjet që diskutohen në sistemin e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë takimit me Ambasadorin e njohur William G. Walker, Barjaba si edhe Kryetari i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, personaliteti i njohur i Diasporës shqiptare në ShBA, Haxhi Dauti, biseduan mbi koordinimin e bashkëpunimit të Diasporës  në ShBA me Kuvendin e Shqipërisë, Kuvendin e Kosovës dhe deputetët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Barjaba zhvilloi një takim të ngrohtë edhe me ish-Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, mikun e njohur të Shqipërisë, Aleksandër Arvizu, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në Shqipëri.

SHKARKO APP