Basha: BE është e tronditur nga çështja “Doshi”

 

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar nga Strasburgu se institucionet e BE-së janë tronditur nga akuzat e bëra nga deputeti Tom Doshi për kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Basha mori pjesë i ftuar nga Grupi Paneuropian i Parlamentit Europian në konferencën me temë "Zhbërja e standardeve demokratike dhe sfidat e Shqipërisë në integrimin europian".

Kreu i opozitës ndau në takimet e zhvilluara me Komisionerin për Politikë Fqinjësore Europiane dhe Negociata për Zgjerim, Johanes Hahn dhe eurodeputët e grupeve më të mëdha parlamentare në PE, shqetësimet për situatën politike në Shqipëri dhe domosdoshmërinë e procesit të dekriminalizimit.

Basha ka theksuar se akuzat e hedhura në gjirin e mazhorancës për skenarë vrasjesh dhe larje hesapesh kanë tronditur thellë jo vetëm Parlamentin Europian, por edhe institucionet e tjera europiane, të cilat mbështesin pa hezitim dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare.

“Plasja e skandalit brenda mazhorancës, sipas të cilit prej gjashtë muajsh, kryetari i Kuvendit është i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve me pagesë, ndërsa kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë përpjekur ta fshehin, ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje, si nga opinioni publik, ashtu edhe nga procesi i duhur ligjor, është një tronditje e thellë, dhe ka shkaktuar një tronditje të thellë në institucionet e Bashkimit Europian. Janë këto institucione që kanë dhënë mbështetje për dekriminalizimin. Kjo klimë, e paprecedentë, e penetrimit të krimit deri në kupolën e shtetit është shumë shqetësuese. Por nga ana tjetër është një mundësi e madhe, kanë theksuar bashkëfolësit në takimet që kam pasur me ta, për të bërë një pastrim me rrënjë të politikës shqiptare nga krimi dhe lidhjet me krimin”, ka thënë Basha.

SHKARKO APP