Basha: Berisha dhe Meta vetëdolën në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha bëri thirrje për një bashkim të të gjithëve që duan të largojnë Ramën dhe të ndërtojnë një alternativë të vërtetë për të ardhmen e Shqipërisë, duke ofruar programin dhe ekipin e Demokratëve Euroatlantikë si një mundësi për të zhbërë çdo marrëveshje të korruptuar.

Në një intervistë për televizionin MCN, Basha theksoi se qëndrimet e tij dhe të partisë së tij nuk vijnë nga interesat e askujt, por janë parimore dhe të vërtetuara nga koha.

Basha e përjashtoi kategorikisht koalicionin me Berishën. “Dera e Demokratëve Euroatlantikë mbetet e hapur për çdo faktor opozitar që refuzon qeverisjen e korruptuar dhe marrëveshjet e fshehta me disa pjesë të opozitës”, tha ai.

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL, Ilir Meta, kanë dalë në krye të opozitës për t’u mbrojtur nga drejtësia, dhe nuk janë të izoluar nga SPAK-u.

Basha shtoi se ata që mbështesin Berishën dhe Metën shpresojnë të përfitojnë nga situata e tyre në raport me drejtësinë dhe faktorët ndërkombëtarë, duke theksuar se shqiptarët nuk mund të mashtrohen nga këto veprime.

Ai gjithashtu nënvizoi se është një pjesë e opozitës që është marrë peng nga individë me probleme me drejtësinë.

SHKARKO APP