Basha: Qendra e Tiranës do t’i jepet “non grata”-ve, mafia po “gllabëron” bregdetin

Kreu i “vulës” Lulzim Basha, është shprehur se qeveria Rama po përgatitet që të kalojë pa transparencë një projektligj që pronat publike ia jep personave të shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion dhe krim të organizuar.

Basha tha gjithashtu se përmes këtij ligji do të pastrohen paratë e politikanëve të korruptuar përmes ndërtimeve.

“Nje ligj po diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë të fshehur, edhe këtu u pretendua fillimisht se do të ishte thjeshtë një transferim drejtorie nga një ministri në një tjetër, ku ndërkohë tinëzisht u futën dispozita ligjore që mundësojnë që përmes tjetërsimit në forma të ndryshme, ankandit, shitjes, këmbimit, pronat publike të vihen në dispozicion të transaksioneve të caktuara. Në këtë mënyrë sipas sinjalizimeve të para që kemi, prona me vlerë në qendër të Tiranës do të vihen në dispozicion të personave të shpallur non grata për korrupsion, për pjesëmarrjen në krimin e organizuar dhe në ndikimin e paligjshëm në procese zgjedhore. Të tjera prona publike me vlerë do të vihen në dispozicion të oligarkëve që po rrënojnë bregdetin dhe po ndërtojnë pa asnjë transparencë, duke pastruar paratë e korrupsionit të qeveritarëve me ndërtimet nga Vlora në bregdet dhe në Tiranë. PD denoncoi këtë aferë, nuk do ndalet dhe do e çojë atë në çdo instacnë për ta pamundësuar që mafia e pronave dhe zyrtarët e korruptuar të shkaktojë këtë dramë të dyfishtë”, tha Basha.

SHKARKO APP