Basha: Rama nga dera e Prokurorisë, tentoi të diktojë variantin e tij për ngjarjen

“Të gjithë shqiptarët panë vetë sot sesi Edi Rama nga dera e Prokurorisë, tentoi të diktojë variantin e tij për ngjarjen duke e quajtur skenar aktrimi. Pra pavarësisht fakteve dhe rrethanave, pavarësisht hetimit dhe punës që duhet të bëjë drejtësia, Edi Rama imponohet duke konkluduar ai i pari për këtë ngjarje”.

Ky ishte komenti i kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me deklaratat e sotme të kryeministrit pas dëshmisë mbi çështjen “Doshi”.

Ku sipas tij, “Rama nuk ngurroi të vihej në krye të skemës së krijimit të alibive dhe ushtrimit të presionit ndaj drejtësisë”.

“Vetëm një hetim objektiv, bazuar mbi fakte, dhe i painfluencuar nga politika do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e të vërtetës. Mundësia për një hetim të tillë kompromentohet rëndë sa kohë që i akuzuari për porositjen e vrasjeve mban postin si numër dy i shtetit.

Edi Rama urdhëroi protestën e 21 janarit edhe pse Ilir Meta kishte dhënë dorëheqjen nga posti i zvkryeministrit. A do ti kërkojë Edi Rama kësaj radhe Ilir Metës dorëheqjen pas akuzave publike për vrasje të deputetit të tij? Nëse Edi Rama nuk kërkon të paktën dorëheqjen e Metës për këtë akuzë shumë më të rëndë se akuza për të cilën urdhëroi 21 janarin, a nuk vërteton kjo se Rama është bashkëpunëtor në mbulimin e krimit të paralajmëruar? 

Kryeministri ka në dorë të ndihmojë drejtësinë duke i kërkuar Ilir Metës, të akuzuar për porositjen e vrasjes së 2 deputetëve, që të japë dorëheqjen.

Nëse jo, Edi Rama konfirmon se është kokë e këmbë i implikuar, dhe se ka zgjedhur të bëhet pjesë e mbylljes së cështjes, mbylljes së hesapeve e pazareve, dhe jo zgjidhjes që vjen vetëm nga drejtësia”, komentoi gjithashtu Basha.

SHKARKO APP