Basha: Situata është keq e më keq. Ramavirusi është pandemia e varfërisë dhe e krizës

Nga qyteti i Korçës, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se situata ekonomike është përkeqësuar për shkak të kronvirusit dhe menaxhimit të gabuar të qeverisë “Rama”.

“Gjendja është e tillë në Korçë. Në një nga qytetet do të thoja që nuk dallohet për varfëri, por një nga qytetet me më shumë mirëqenie në Shqipëri. Bashkë kemi qënë përmes kamerës së këtij telefoni dhe Facebook-ut, me sipërmarrës në qytete dhe fshatra të tjera të vendit dhe e keni parë se situata është keq e më keq.  Ndaj dua të theksoj edhe njëherë masat stabilizuese urgjente që ne do të ndërmarrim ditën tonë të parë në pushtet”,- tha Basha.

Kreu i PD-së tha se programi i opozitës do të mundësojë një sistem taksash konkurrues për rajonin. “Sa i përket biznesit të vogël siç është Luani, 140 milionë lekë e poshtë, do të kenë një taksë 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë tjetër lokale apo qëndrore çdo tatim tjetër, çdo lloj tjetër formë tarifimi do të zhduket. Do të ketë vetëm një taksë dhe asnjë tarifë dhe asnjë taksë tjetër. Së dyti, për biznesin e madh ne do të vendosim tasën e sheshtë 9% e cila do të synojë që më shumë para të mbeten për investime për hapje vende pune të cilat natyrisht, për çdo vend të ri pune, do të thotë më shumë konsum. Dhe më shumë konsum, do të thotë edhe më shumë mundësi, edhe më shumë të ardhura në xhepat e njerëzve edhe më shumë xhiro për sipërmarrjen, do të thotë nisje e një zinxhiri pozitiv për ekonominë shqiptare. Pa këto masa, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të hidhet drejt një gropë gjithmonë e më të thellë, siç është hedhur këto 7 vite”,- deklaroi kreu i PD.

Basha tha se situata nuk mund të përmirësohet me këtë qeveri, por vetëm do të përkeqësohet. “Padiskutim, në këtë kohë të vështirë të koronavirusit, në majën e gjuhës të çdo shqiptari është një rrezik tjetër, po kaq i madh, madje edhe më i madh që tanimë njihet si Ramavirusi, që është pandemia e varfërisë, pandemia e krizës ekonomike, pandemia e krizës sociale, e cila po shkatërron ditë për ditë mirëqenien familjare, vendet e punës dhe po shkakton një stres të jashtëzakonshëm në shoqëri dhe në familjet shqiptare”,- tha kreu i PD-së.

SHKARKO APP