Bashkia e Tiranës i dorëzon Çelësin e Qytetit, Gianni Pitellas

 

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, i dorëzuan sot Presidentit të Grupit Social – Demokrat në Parlamentin Europian, Gianni Pitella, Çelësin e Qytetit. Në një ceremoni të zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak, ku ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe deputetë të Parlamentit shqiptar, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës i dorëzuan simbolin e mirënjohjes eurodeputetit italian që ka kontribuar dhe mbështetur Shqipërinë.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, vlerësoi Gianni Pitellan si një mik i mirë të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve. “Gianni Pitella është një avokat i palodhur i qytetarëve të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Çdo politikan dhe qytetar i thjeshtë ndihet mirë që ka në Parlamentin Europian një zë kaq të përkushtuar ndaj aspiratës sonë, për integrim të Shqipërisë dhe mbarë rajonit”, deklaroi Dalipi. Sipas tij, në disa situata të vështira që vendi ka kaluar, zëri i tij ka qenë mesazh maturie dhe dashamirësie njerëzore, duke ndikuar jo pak që Shqipëria të ndjekë rrugën e duhur. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës falënderoi kryebashkiakun Veliaj për iniciativën dhe vlerësimin për Gianni Pitellan, qytetarin e nderuar të Tiranës.

Më tej, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, tha se mbështetja dhe vëmendja e veçantë e gjithë grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian dhe personalisht e z. Pitella për progresin Europian të Shqipërisë, bëhet akoma më e rëndësishme në këto kohë të vështira për Bashkimin Europian. “Kuptimi simbolik i dhënies së Çelësit të Qytetit është thënë gati në të gjitha ceremonitë e zhvilluara deri tani, por mua do të më pëlqente që ta përsërisja që Çelësi që ne i japim sot Gianni Pittellës simbolizon lirinë e tij për të hyrë e për të dalë nga ky qytet kur të dëshirojë, si një mik i besuar i të gjithë qytetarëve tanë. Mesazhi i qytetit tonë është: Nga sot e tutje je një nga tanët”, tha Paskali.

Pas marrjes së Çelësit të Qytetit, Presidenti i Grupit Social – Demokrat në PE, Gianni Pitella, tha se ky simbol vjen në një kohë kur siç e dimë, problemet për Europën vijojnë dhe është një gjest i shkrirjes që ka Tirana dhe Shqipëria për vendin e tij. “Jo rastësisht vendi juaj, quhet vendi i shqiponjave. Një vend me njerëz kurajozë. Një vend që askush s’ju ka dhuruar asgjë, çdo gjë e keni arritur me forcën dhe vendosmërinë tuaj. Askush s’do t’ju dhurojë gjë. Askush s’do na dhurojë gjë, pasi edhe unë jam pjesë e juaja nga sot, çdo gjë duhet ta fitojmë. Fitorja e radhës quhet hyrja në Komunitetin Europian”, tha Pitella.

SHKARKO APP