Bashkia e Tiranës jep lajmin e mirë, shtyhet edhe me 30 ditë dorëzimi i dokumenteve për të përfituar kredi të butë

Nëse nuk keni mundur që të plotësoni në kohë dokumentacionin për të përfituar kredi të butë, keni edhe 30 ditë shtesë për ta bërë.

Në mbledhjen e tij online për shkak të pandemisë COVID-19, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin për të shtyrë gjer në fund të gushtit afatin që familjet të cilat e kanë pasur të pamundur të mbledhin dokumentacionin ta bëjnë atë dhe të kenë një shans të ri për të përfituar kredi të butë.
Përveç shtimit të numrit të bankave që do të ofrojnë këtë shërbim , Bashkia e Tiranës ka lehtësuar edhe procedurën duke lehtësuar plotësimin e dokumentacionit.

Tashmë do të jetë institucioni që do të merret me plotësimin e dosjes. Kështu, familjet përfituese pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Strehimit, depozitojnë pranë Njësisë Adminsitrative deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të. Njësia Administrative/Lagjia plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe dokumentacionin që sipas akteve në fuqi duhet të depozitohen kryesisht nga aplikanti dhe ia përcjell ato në Bashkinë Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social.

Në të kundërt, nëse aplikanti/familjet nuk dorëzojnë apo refuzojnë të firmosin deklaratën e parashikuar si më lart, Njësitë Administrative/Lagjet shkarkohen nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Në këtë rast, individët do të dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

Që me zgjedhjen e Veliajt pesë vite më parë, Bashkia Tiranë duke konsideruar trendin në rritje të kërkesave për subvencionimin e interesave të kredisë për blerjen e apartamenteve të banimit, hartoi një program specifik, tërësisht i buxhetuar prej saj, për këtë qëllim. Gjatë viteve 2017-2018 janë shpallur fitues 2103 familje.

SHKARKO APP