Bashkia e Tiranës me një kalendar të pasur aktivitetesh për festat e nëntorit dhe të fundvitit

Kryeqyteti shqiptar po bëhet gati për festat e 28-29 Nëntorit, ndërsa bashkia Tiranë ka parashikuar edhe një kalendar të pasur me aktivitete dhe ngjarje kulturore gjatë këtyre ditëve.

Enida Mara, specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se bashkia e Tiranës ka planifikuar disa aktivitete në bashkëpunim me individë, shoqata artistike dhe institucione të ndryshme në vend.

Panairi i Artizanëve nis sot dhe do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.

“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë. Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë”, tha Mara. Në të njëjtën datë, është teatri “Linda” që shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa koncerti “Eloquent Echoes” do të jepet në ambientet e Kishës Katolike në kryeqytet. “Ky projekt synon të paraqesë përpara publikut të kryeqytetit instrumentistë të rinj, si dhe pedagogë në Real Conservatorio Superior de Musica de Madrid, si dhe Korin “Siparantum”, një ndër koret më të mira aktualisht në rajon”, u shpreh Mara për ATSH.

“Parada kuqezi” mbahet në 28 Nëntor dhe nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.

“Nata e Bardhë” në Tiranë është një tjetër festë që për çdo vit mbyll në mënyrë simbolike festimet e 28 dhe 29 Nëntorit, datat më të rëndësishme për shqiptarët. “Shqipëri, o vendi im” është koncerti simfonik që do të mbahet në 29 Nëntor në sallën “Ferdinand Deda”, të RTSH. Ky koncert mbahet për Festat e Nëntorit dhe me kolonat zanore të filmave shqiptarë.

Specialistja pranë bashkisë së Tiranës, pohon për ATSH se në varësi të kushteve atmosferike, është menduar ndezja e dritave të pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në 30 nëntor.

“Në rast se shiu do t’i “prishë” këto plane, ndezja e dritave do të bëhet në 2 dhjetor. “Këndojmë rreth pemës 2025” është tashmë një pjesë e rëndësishme dhe zyrtare e dekorit festiv. Pjesë e rëndësishme e këtij manifestimi është data e vendosjes së pemës, gjithashtu dhe ndezja e dritave që përbën një prej elementeve të rëndësishëm të këtij rituali. Qëllimi i këtij projekti është organizimi i një koncerti me muzikë festive korale në sheshin “Skënderbej” me rastin e ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes”, shton Mara.

“Duar të lashta” dhe ekspozita “Karamello by Marco Campardo” do të jenë dy aktivitete që organizohen në 30 nëntor, ndërsa në 2 dhjetor do të transmetohet në TV Klan, edicioni i 10-të i “Krishtlindje në Tiranë”.

“Ky projekt do të sjellë një mbrëmje festive përmes performancave të artistëve shqiptarë më në zë si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të disa artistëve ndërkombëtarë. Në këtë mbrëmje do të ketë edhe këngëtarë të ftuar si Leonora Poloska, Kamela Islamaj, Redon Makashi, Kejsi Tola, Alma Bektashi, Vivian Biagioni etj. Ndërsa të ftuar ndërkombëtarë do të jenë kantautori i famshëm italian Alan Sorrenti dhe grupi i famshëm grek “Droulias Brothers”. Ky spektakël do të drejtohet nga Eni Çobani dhe Albert Dumani”, thotë Mara.

Një ditë më pas, në 3 dhjetor do të mbahet “Festivali i parë Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK)” në ambientet e Teatrit Kombëtar, një festival ky gjithëpërfshirës me target grupin e moshave 11-25 vjeç, për t’i dhënë mundësinë fëmijëve dhe të rinjve tipikë dhe atipikë, nga e gjithë Shqipëria.

/r.e/ /a.g/ ATSH

SHKARKO APP