Bashkia e Tiranës reagon pas braktisjes së dëgjesës nga shoqëria civile: Keqardhje, duan vetëm show mediatik

Bashkia e Tiranës ka reaguar me një deklaratë pas braktisjes së dëgjesës nga shoqëria civile.

Sipas Bashkisë, ata po kërkojnë thjesht të bëjnë një show mediatik, dhe jo të diskutojnë realisht për parkun.

“Bashkia e Tiranës ftoi për të disatën herë sot në orën 11.00, në sallën e Këshillit Bashkiak, të gjitha shoqatat mjedisore, organizata të ndryshme apo edhe persona të interesuar për t’u njohur deri në detaje mbi projektin e këndit të lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit, duke qenë e bindur se vetëm diskutimi dhe debatimi i jep zgjidhje keqkuptimeve për këtë çështje.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Bashkia e Tiranës ka shprehur gatishmërinë e saj për të komunikuar, informuar, debatuar e dëgjuar me të interesuarit realë për projektin e këndit të lojërave për fëmijë. Por, pas veprimit të sotëm të disa të pranishmëve, të cilët e braktisën takimin pasi lexuan një deklaratë, vërejmë me keqardhje se qëllimi kryesor i tyre nuk është diskutimi për gjetjen e një zgjidhjeje, por vetëm show mediatik i këtij grupimi.

Nisur nga kjo, Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për veprimin e papjekur të disa të pranishmëve, të cilët në mënyrë krejt të pakuptimtë dhe pa asnjë arsye u larguan nga takimi.

Në takimin e sotëm, Bashkia e Tiranës prezantoi disa elementë të rinj të draft-masterplanit për zgjerimin e Parkut të Liqenit, në të cilin parashikohet të paktën dyfishimi i sipërfaqes aktuale të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës shpreh falenderimin e saj për pjesën tjetër të shoqërisë civile, ambientalistë të njohur nga publiku, të cilët e respektuan thirrjen tonë dhe qëndruan deri në fund të takimit, dhe dëgjuan e diskutuan për këndin e lojërave për fëmijë.

Bashkia e Tiranës mbetet gjithmonë e hapur ndaj kërkesave të atyre grupimeve që janë vërtet të interesuara për të dëgjuar e diskutuar mbi çështje që shqetësojnë opinionin publik”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

SHKARKO APP