Bashkitë që s’kanë stacione zjarrëfikësash duhet të paguajnë për shërbimin në rast zjarresh
Të gjitha bashkitë që në territorin e tyre nuk kanë stacione të zjarrëfikësash, në rast zjarresh do të duhet ta marrin këtë shërbim përmes një tarife që duhet të paguajnë tek bashkitë që kanë stacione zjarrëfikësash.
Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi vendimin për vendosjen e tarifës së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të ofruar nga bashkitë e pajisura me stacione të këtij shërbimi, në territorin e bashkive që nuk kanë stacione të shërbimit të MZHS-së. Sipas VKM-së, tarifa e shërbimit për shuarjen e zjarreve apo për shpëtimin, në raste aksidentesh dhe fatkeqësish të tjera, ofruar nga bashkitë e pajisura me stacione të këtij shërbimi në territorin e bashkive që nuk kanë stacione të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, është 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për orë pune.
“Për efekt të përllogaritjes së kostove të shërbimit të ofruar nga shërbimi i MZSH-së të bashkisë, koha e ndërhyrjes llogaritet nga momenti i daljes së personelit të shërbimit të MZSH-së nga stacioni zjarrfikës dhe përfundon me largimin e tij nga vendi i ngjarjes. Shumat e arkëtuara nga bashkitë që kërkojnë ndërhyrje për shuarjen e zjarreve apo në raste aksidentesh e fatkeqësish të tjera, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, derdhen në llogaritë e bashkive që kanë ofruar shërbimin dhe përdoren vetëm për financimin e veprimtarisë së shërbimit të MZSH-së së baskisë”- thuhet në VKM.
Po ashtu qeveria sqaron se Shpenzimet për ndërhyrjet e kryera nga një bashki në një bashki tjetër përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për shërbimin e MZSH-së.
KOHA JONË SONDAZH

