Baton Haxhiu: Shqipëria në rrezik të madh terrorist nga Irani prej ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, do godasin!

Sot Kryeministri Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin për shkak të sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë.

Personeli i ambasadës së Iranit në Tiranë janë urdheruar që brenda 24 orëve të largohen nga Shqipëria.

SHBA e përshendeti menjëherë këtë veprim të qeverisë shqiptare.

Ndërkohë analisti Baton Haxhiu, si njohës i mirë i shteteve islamike, thotë se pas vendimit për dëbimit të diplomatëve iranianë e fut Shqipërinë në grupin e vendeve që urrehen nga Irani.

Në një intervistë për Euronews Albania ai tha se Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë më e rrezikuar nga terrorizmi se tani.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, iranianët nga aspekti i krenarisë e ngrenë në piedestal krenarinë e tyre.

Pas vendimit të fundit, kemi hyrë në grupin e vendeve që urrehemi nga Irani. Kërcënimi mund të jetë i çfarëdollojshëm.

Iranianët janë të pamëshirshëm në hakmarrjen e tyre.

NATO dhe SHBA prek këtij momenti duhet të ketë kujdes të veçantë tani për banorët e Shqipërisë, për muxhahedinët, për hyrje-daljet në portin e Durrësit, aeroportin e Rinasit, hyrjet nga Kosova dhe RMV.

Ky është një moment i veçantë për SHBA dhe sigurinë në Shqipëri.

Shqipëria kurrë s’ka qenë më e rrezikuar nga terrorizmi se tani”, tha Haxhiu.

Kronika e ditës së sotme

Në Shqipëri, qeveria akuzoi sot Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e saj të teknologjisë së informacionit, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi në mesditë vendimin për ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror”, deklaroi kryeministri Edi Rama në një dalje të posaçme publike.

Ai shpjegoi se “hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”.

Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin i është njoftuar me notë zyrtare ambasadës në Tiranë së cilës “i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë”.

Kryeministri Rama deklaroi se “kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar, po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”.

Reagon SHBA:

Shtetet e Bashkuara dënuan sot sulmin kibernetik të Iranit kundër Shqipërisë.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Adrienne Watson, shprehet në një deklaratë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin thirrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që Irani të mbahet përgjegjës për sulmin e paprecedentë kibernetik”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej në deklaratë, do të marrin masa të tjera ndaj Iranit për sulmin që kërcënon sigurinë e një aleati të Shteteve e të Bashkaura, si dhe për precedentin e rrezikshëm që krijon për sulmet kibernetike.

Për javë të tëra, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me partnerë të sektorit privat për të mbështetur Shqipërinë të zbusë, kapërcejë dhe hetojë sulmin kibernetik të 15 korrikut, që dëmtoi të dhënat e qeverisë dhe nxorri jashtë funksionimit shërbimet qeveritare për publikun.

Shtetet e Bashkuara, thotë deklarata, kanë arritur në përfundimin se ishte qeveria e Iranit ajo që ndërmorri këtë sulm të papërgjegjshëm.

Irani, thotë Shtëpia e Bardhë, ka shkeluar normat që duhet të ndjekë një shtet i përgjegjshëm paqësor përsa i përket sigurisë kibernetike, siç është mos-dëmtimi i infrastrukturës kritike, që ofron shërbime për publikun.

“Aktivitetet keqdashëse kibernetike që dëmtojnë qëllimisht infrastrukturën mund të kenë pasoja zinxhir për vendin, rajonin dhe më gjerë dhe mund të çojnë në përshkallëzime ose konflikte”, thotë Shtëpia e Bardhë.

SHKARKO APP