BB: 91% e makinave në Shqipëri janë mbi 10-vjeçare
Shqipëria po përjeton një rritje të shpejtë të numrit të automjeteve në qarkullim, duke u renditur si vendi me ritmin më të lartë të motorizimit në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, motorizimi në Shqipëri është rritur me 122% gjatë një dekade, ndërsa flota e automjeteve vijon të zgjerohet me ritme të larta.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e automjeteve elektrike. Të dhënat e DPSHTRR-së tregojnë se 71.2% e autoveturave të reja të regjistruara këtë vit janë elektrike, një rritje me 21% krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht rritjes së automjeteve elektrike, struktura e flotës shqiptare mbetet ende e dominuar nga makinat e vjetra. Nga rreth 847 mijë autovetura në vend, 91% janë mbi 10 vjeç, ndërsa afro 385 mijë automjete janë më shumë se 20 vjet të vjetra.
Kjo shifër krijon një kontrast të fortë me vendet e Bashkimit Europian, ku automjetet mbi 10 vjeç përbëjnë rreth 57% të flotës totale.
Sipas Bankës Botërore, mosha e lartë e flotës së automjeteve ka një kosto të drejtpërdrejtë ekonomike për vendin.
Automjetet e vjetra kanë konsum më të lartë karburanti dhe standarde më të ulëta sigurie, duke sjellë më shumë shpenzime si pasojë e aksidenteve, dëmeve materiale dhe humbjes së produktivitetit.
Raporti nënvizon se sfida nuk lidhet vetëm me rinovimin e makinave, por me mënyrën se si Shqipëria ndërton sistemin e transportit në tërësi.
Një tjetër problem i evidentuar është ndikimi i transportit në mjedis. Sipas raportit, 95% e emetimeve nga sektori i transportit në Shqipëri vijnë nga transporti rrugor.
Për këtë arsye, investimet nuk duhet të përqendrohen vetëm te automjetet elektrike. Banka Botërore rekomandon një qasje më të gjerë, që përfshin forcimin e transportit publik, zhvillimin e hekurudhave dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të sigurisë.
KOHA JONË SONDAZH

