BBC: Më shumë apo më pak proteina? Ushqimet që ju ndihmojnë të përballoni valën e të nxehtit
Ndërsa temperaturat kalojnë 30°C, shumë njerëz nuk kanë më dëshirë “të ndezin furrën”. Jo vetëm që gatimi në mot të nxehtë bëhet më i lodhshëm, por shumë persona humbasin edhe oreksin, shkruan BBC.
Por a duhet të ndryshojmë mënyrën e të ushqyerit gjatë valës së të nxehtit?
Ekspertët sugjerojnë disa këshilla të thjeshta për të qëndruar të shëndetshëm dhe të hidratuar kur temperaturat rriten.
1. Mos u shqetësoni për rritjen e konsumit të proteinave
“Nuk ka nevojë të konsumoni më shumë proteina gjatë valës së të nxehtit”, thotë Aisling Daly, pedagoge e lartë e ushqyerjes në Universitetin “Oxford Brookes”.
Megjithatë, shumë ushqime të pasura me proteina, si mishi, pula dhe peshku, kërkojnë gatim, gjë që mund të jetë e pakëndshme në ditët e nxehta.
Edhe një gatim në skarë, mund të jetë i vështirë për t’u përballuar.
Pajisje si friteza me ajër të nxehtë, mund të jenë një alternativë më e përshtatshme, pasi përdorin më pak energji dhe lëshojnë më pak nxehtësi në kuzhinë sesa një furrë tradicionale.
Ekspertët kujtojnë gjithashtu edhe tenxheren elektrike të gatimit të ngadaltë – e cila, pavarësisht se punon për një kohë më të gjatë, është efikase në energji dhe prodhon më pak nxehtësi.
Megjithatë, vetë procesi i tretjes së proteinave bën që trupi të prodhojë më shumë nxehtësi sesa kur konsumohen disa lloje të tjera ushqimesh.
Kjo ndodh sepse stomaku, zorrët dhe mëlçia shpenzojnë energji për të shpërbërë dhe përthithur proteinat.
Prandaj, një vakt i rëndë me mish mund të shkaktojë ndjesinë e nxehtësisë dhe djersitjes.
Proteinat mund të merren edhe nga burime më të lehta, si:thjerrëzat dhe bishtajoret; arrat; qumështi dhe produktet e qumështit; tofu; djathi; vezët dhe kosi grek.
Për të marrë proteina pa e rënduar trupin gjatë vapës, ekspertët rekomandojnë ushqime si sallata me fasule, vezë të ziera, mish të përgatitur më parë dhe kos grek, edhe në formë të ngrirë.
Një alternativë e mirë është edhe një “smoothie” me fruta, perime dhe kos, ku mund të shtohet pak gjalpë kikiriku për të rritur sasinë e proteinave.
Mund të zgjidhen gjithashtu peshq më të lehtë, si toni, salmoni ose karkalecat.
2. Konsumoni fruta dhe perime, jo vetëm ujë
Gjatë temperaturave të larta, trupi humbet ujë përmes djersitjes.
Nëse nuk e zëvendësojmë këtë humbje, mund të shfaqet dehidratimi (mungesa e ujit në organizëm).
Zakonisht rekomandohen rreth 6–8 gota lëngje në ditë, por gjatë valëve të nxehtësisë mund të nevojitet një sasi më e madhe.
Sasia e ujit që i nevojitet çdo personi varet nga mosha, pesha trupore, aktiviteti fizik dhe gjendja shëndetësore.
Por hidratimi nuk bëhet vetëm duke pirë ujë.
“Duhet ta “hamë” ujin po aq sa ta pimë”, thotë Dr. Daly, duke theksuar se 80–90% e frutave dhe perimeve përbëhen nga uji.
Ushqimet me përmbajtje shumë të lartë uji janë: kastraveci; domatet; sallata jeshile; selinoja; shalqiri dhe luleshtrydhet. Këto përmbajnë mbi 90% ujë.
Edhe ushqime të tjera kanë sasi të konsiderueshme uji si: mollët, karotat, brokoli i gatuar dhe dardhat.
Rreth 80–89% uji gjendet te: portokallet, rrushi dhe ananasi.
Në krahasim: veza e zier përmban rreth 75% ujë; biskotat e thata vetëm rreth 2,8%; pica me djathë dhe domate rreth 38%; patatet e skuqura rreth 51%.
Një mënyrë e thjeshtë për të kontrolluar nëse jeni të hidratuar është ngjyra e urinës.
E verdhë e çelët tregon zakonisht hidratim të mirë.
E verdhë e errët, portokalli ose kafe mund të tregojë mungesë uji, pasi veshkat përpiqen të ruajnë lëngjet në trup.
3. Edhe pijet e ngrohta mund t’ju ndihmojnë gjatë vapës
Edhe pse mund të duket e çuditshme, një çaj i ngrohtë në ditë shumë të nxehta, mund të ketë kuptim nga pikëpamja shkencore.
Sipas ekspertëve, pijet e ngrohta ose në temperaturë dhome mund të ndihmojnë trupin të rregullojë temperaturën.
Studimet tregojnë se pas konsumimit të një pijeje të ngrohtë, trupi mund të rrisë djersitjen për të larguar nxehtësinë e tepërt.
Ndërsa pas një pijeje shumë të ftohtë, ky proces mund të jetë më i ngadalshëm.
Trupi përpiqet të mbajë temperaturën e brendshme rreth 37°C.
Pra, më e rëndësishmja nuk është temperatura e pijes, por që trupi të marrë mjaftueshëm lëngje.
Kafeja gjithashtu nuk duhet shmangur plotësisht gjatë verës, megjithëse konsumimi i tepërt i kafeinës, mund të rrisë urinimin dhe të ndikojë në hidratim.
Një ose dy kafe në ditë zakonisht nuk ndikojnë ndjeshëm në nivelin e ujit në trup, por pesë ose gjashtë kafe mund të kenë efekt.
Edhe alkooli duhet kufizuar, pasi shkakton dehidratim.
Ekspertët sugjerojnë gjithashtu përshtatjen e orarit të ushqimit sipas mënyrës mesdhetare: mëngjes herët; pushim ose gjumë pasdite gjatë orëve më të nxehta; darkë më vonë në mbrëmje, kur temperaturat bien.
Në ditët e nxehta, çelësi është të qëndroni të hidratuar, të zgjidhni ushqime të lehta dhe të mos e ngarkoni trupin me vakte të rënda.
KOHA JONË SONDAZH

