BBC reportazh në Laknas: Bandat shqiptare rekrutojnë emigrantë në Francë
Shqiptarët si emigrantë, janë kthyer në epiqendrën politike dhe mediatike të Britanisë së Madhe. ”Bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francë si zona rekrutimi”, shkruan BBC, që ka dërguar edhe një ekip të Laknas, ku edhe nënvizohet se kriminelët vetëofrohen t’u paguajnë kalimin ilegal të atyre personave që pranojnë të punojnë në industrinë e drogës pasi të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
BBC mes tjerash shkruan dhe për fuqizimin e rolit të grupeve shqiptare të trafikimit të qenieve njerëzore në Francë, dhe frikën e autoriteteve atje se kjo do të përfundojë në një konflikt të dhunshëm me rivalët irakianë dhe kurdë që kontrollojnë 80 për qind të trafikut ilegal në La Mansh.
Qeveria britanike thotë se vetëm këtë vit, 12 mijë shqiptarë kanë hyrë në vend përmes gomoneve, shumica burra apo djem të rinj. Këto shifra kanë ngjallur një debat në shtetin ishull, me ministra që kanë thënë shprehimisht se vendin “po e pushtojnë kriminelët shqiptarë”.